Parlament, Rama: Jeni dakortësuar për draftin. Paloka, prisni mendimin e Venecias. Berisha, keni ndërruar draftet

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike (PD), Edi Paloka, deklaroi të enjten në Kuvend qëndrimin kundër të opozitës për p/ligjin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH)-së, i miratuar të mërkurën nga qeveria. Venecia, sipas kreut të grupit demokrat, ka dhënë një përgjigje për BKH-në dhe ajo është e qartë: nuk mund të ketë Byro Hetimi në varësi të kryeministrit. Nuk ka rëndësi se si delegohet kjo varësi, tek ministri i Brendshëm apo tek dikush tjetër, por nuk mund të ketë Byro Hetimi në varësi të Kryeministrit apo ministrave të tij, theksoi Paloka. “Sipas logjikës së thjeshtë i bie që Tahiri të hetojë Ramën apo Rama Ramën. Nuk besoj se ka shqiptarë naiv të mos e kuptojë se ç’do të thotë kjo”, theksoi Paloka sot në parlament.

“Pr/ligji për Byronë Kombëtare të Hetimit kalon me shumicë të thjeshtë, por ishte kërkesë e ndërkombëtarëve që për shkak të programit që Bashkimi Europian ka lançuar për financimin e Policisë së Shtetit dhe për shkak të marrëveshjes me FBI-në, të përfshiheshin edhe ekspertë dhe përfaqësues të PD-së. Dhe ne ramë dakord për këtë. Jeni përfshirë dhe dakordësuar pikë për pikë. Drafti i Byrosë Kombëtare të Hetimit, që qeveria shqiptare ka sjellë në parlament, është drafti me të cilin ju (opozita) jeni dakortësuar 100%” u shpreh Rama në Kuvend.

Ish-kryeministri Berisha pretendoi për të kundërtën, duke këmbëngulur se drafti i miratuar nga qeveria për BKH-në nuk është ai i dakordësuar me opozitën. Ai tha se dispononte edhe dokumentin për këtë. Duke rikujtuar se drafti i parë i qeverisë, i vitit 2014, u kthye nga Gjykata Kushtetuese, Berisha nënvizoi se rekomandimet e Komisionit të Venecias nuk pranonin që Byroja të mos kishte lidhje me prokurorinë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet