Parlamenti europian i jep 'Ok' raportit për çeljen e negociatave me Shqipërinë

Parlamenti Europian ka përshëndetur dhe votuar sot raportin e Raportuesit për Shqipërinë në këtë Parlament, Knut Fleckenstein me 459 vota pro, 112 kundër dhe 62 abstenime, raport i cili mbështet hapjen e negociatave në qershor të vitit të ardhshëm.

Në raportin e përgatitur nga Knut Fleckenstein me 48 pika dhe që mori aprovimin e eurodeputetëve, njihen përpjekjet e Shqipërisë për Reformën në Drejtësi dhe progresin drejt finalizimit të hapjes së negociatave.

“PE përshëndet përpjekjet e intensifikuara të Shqipërisë në këtë drejtim, duke çuar në një progres të qëndrueshëm në zbatimin e reformave të lidhura me BE-në, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse të drejtësisë dhe i bën thirrje Shqipërisë që të konsolidojë reformat e arritura dhe të vazhdojë përgatitjen për detyrimet e anëtarësimit në BE në të gjithë kapitujt. Mbështesim plotësisht rekomandimin e Komisionit për hapjen e negociatave të integrimit duke njohur përpjekjet e reformave të bëra nga Shqipëria. Marrim parasysh vendimin e Këshillit për të rivlerësuar situatën në qershor 2019. Mirëpresim rrugën e qartë që është përvijuar drejt fillimit të bisedimeve të pranimit në vitin 2019 dhe theksojmë faktin se ka filluar procesi përgatitor i “screening”. Kujtojmë që vendimi për të hapur negociatat e pranimit do të varet nga përparimi i mëtejshëm në procesin e reformës. Konsiderojmë se hapja e negociatave do të kontribuonte pozitivisht në forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, duke siguruar stimuj të mëtejshëm për procesin e reformës dhe përmirësimin e monitorimit të saj. Mirëpresim punën e Komitetit ad hoc për Reformën Zgjedhore të Parlamentit Shqiptar lidhur me pavarësinë dhe depolitizimin e administratës zgjedhore, transparencën në financimin e fushatës, regjistrimin e votuesve, përdorimin e teknologjive të reja të votimit dhe votimin e emigrantëve. Reforma të miratohet me konsensus dhe në kohën e duhur para zgjedhjeve vendore të 2019. Kandidatët me probleme penale të përjashtohen nga listat dhe nivelet e qeverisjes”, – shkruhet në raport.

Në këtë raport bojkoti i partive opozitare shikohet si shqetësim dhe kërkohet rikthimi i dialogut mes partive politike në vend.

“Mirëpresim bashkëpunimin në rritje dypartiak dhe konsensusin e gjerë ndërpartiak, gjatë punës për reformat kyçe. Inkurajojmë të gjitha forcat politike, që të bëjnë përpjekje të mëtejshme për të krijuar një dialog të mirëfilltë politik dhe për të arritur bashkëpunim konstruktiv, duke mbështetur kështu procesin e reformës. Duhet të rikthehet besimi i fortë te dialogu politik, duhet të zhvillohet brenda institucioneve demokratike. Jemi shumë të shqetësuar për bojkotin de facto të procesit parlamentar nga opozita, pas pushimeve verore të vitit 2018”, – shkruhet në raport.

Një tjetër reformë e cila është përshëndetur nga ana e PE është dhe përparimi në reformën në sistemin gjyqësor, i cili sipas tyre ka për qëllim rritjen e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë në vend.

“Përshëndesim përparimin e bërë në reformën gjyqësore, që ka për qëllim rritjen e pavarësisë, llogaridhënies, profesionalizmit dhe efikasitetit të institucioneve gjyqësore të vendit dhe përmirësimin e besimit të njerëzve në organet gjyqësore. Shpreh keqardhje që administrimi i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm dhe joefikas. Vërejmë se procesi i rivlerësimit për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët ka dhënë rezultatet e para të prekshme. Mirëpresim faktin se shumica e dosjeve prioritare tashmë janë përpunuar. U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare që sa më parë të përfundojnë krijimin e organeve të reja gjyqësore dhe të kthejnë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë në një gjendje funksionale. Nënvizojmë nevojën për të mbështetur funksionimin efektiv të këtyre institucioneve nëpërmjet burimeve të përshtatshme njerëzore dhe financimit”, – shkruhet në raport.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet