Parlamenti i ri: Rama, të ulim agresivitetin dhe t'i zgjidhim problemet me durim

E fillon me një reflektim për atë çfarë është bërë mirë, e me atë çfarë mund të bëhet akoma më mirë, duke parë në sy fëmijët. Edi Rama, në krye të qeverisë së re fillon punën zyrtarisht, pas "bekimit" të Metes, president i zgjedhur pak kohë më parë. Dita e parë e Parlamentit, përkon më fillimin e mësimit në shkolla, prandaj fjalimi ishte sidomos për të ardhmen.

"E ardhmja e fëmijëve tanë është prioriteti ynë themelor si prindër dhe përpjekjet tona si individë, po në rastin konkret, edhe si udhëheqës apo përfaqësues të partive e të mbarë popullit shqiptar këtu në Kuvend, janë përpjekje që përcaktojnë shumëçka, për të sotmen dhe gjithçka për të ardhmen e mbarë fëmijëve të Shqipërisë...Unë dua që kjo qeveri, kjo shumicë qeverisëse të vendosë interesin e fëmijëve në qendër të politikës dhe të shtetbërjes. Kjo për mua do të thotë shumë më shumë përpjekje të drejtpërdrejta, në funksion të fëmijëve, shumë më shumë shpejtësi e thellësi në reformat që bëjnë shtet, në emër të fëmijëve," tha Rama. Pas kësaj premtime. Në harkun e këtij mandati t’i japim këtyre familjeve, me tre ose më shumë fëmijë, një bonus mujor, tha, që ofron mbështetjen e qeverisë ndaj mësuesve. Në plan të dytë një ftesë për dialog mes deputetëve. "Le të debatojmë me pasion...le t’i mbrojmë me zjarr pozicionet tona të kundërta, le ta kundërshtojmë njëri-tjetrin edhe me ashpërsi, po ju lutem, të mos lejojmë të gjithë së bashku, që bashkëjetesa jonë politike të jetë barku që prodhon modele e shembuj të këqij për fëmijët e Shqipërisë", tha Rama.

Të flasim shqip pa patur nevojë të qahemi tek të huajt. Rama ia njeh rëndësinë e rolit të opozitës në ngritjen e probemit të kanabisit dhe dekriminalizimit dhe fton Bashën për t'u ulur në një tryezë të organizuar për problemet e mëdha të vendit. Këtë ai e kishte përsëritur dhe herë të tjera.

Më pas nënvizon prioritetet e punës së tij: ne do të punojmë shumë fort për konkretizimin e disa nismave në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, në radhë të parë, brenda suazës së Procesit të Berlinit. Do të shumëfishojmë gjithashtu përpjekjet, për të konkretizuar më shpejt dhe më shumë prej nismave, tanimë të dakordësuara me Kosovën në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive.

"Uroj që bashkimin doganor të Shqipërisë me Kosovën ta bëjmë fakt të kryer një orë e më parë, duke i kthyer doganat në portet e Shqipërisë në dogana edhe të Kosovës. Projekti është gati, i punuar, i konsultuar dhe i dakordësuar mes dy palëve në nivelin teknik. Miratimi nga ana jonë në nivelin politik është gati. Presim vetëm miratimin e Qeverisë së Kosovës", tha Rama.

"Ne vazhdojmë të besojmë në devizën tonë, “Zero probleme me fqinjët” dhe do të intensifikojmë përpjekjet për të zgjidhur përmes strukturës tanimë të dakordësuar të dialogut problemet e mbartura me të vetmin fqinj sot që kemi probleme, Greqinë. Mesazhi im për fqinjin jugor është i thjeshtë dhe i qartë: Ne duam miqësi reciproke, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim strategjik."

"Së treti, po e nis me një parantezë: Sot është dita e një kujtimi thellësisht të përzishëm për Shtetet e Bashkuara, 11 shtatorit dhe duke rikonfirmuar në këtë ditë angazhimin tonë të palëkundshëm në krah të aleatit tonë të madh strategjik. Ne do të vazhdojmë të mbështetemi fort tek aleanca strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Europian."

"E kemi ne në dorë të vigjëlojmë mbi procesin e Vetting-ut dhe të shtyjmë përpara në tërësi Reformën në Drejtësi. Përqendrimi tek Vetting-u është mëse normal. Fokusimi edhe i opinionit publik tek peshqit e mëdhenj është mëse i kuptueshëm. Por, ndërkohë, sistemi ynë i drejtësisë shkatërron përditë shpresa dhe të drejta të shumë e shumë njerëzve të zakonshëm."

"Nga ana tjetër, edhe lufta kundër informalitetit do të hyjë po ashtu në një fazë të re, qysh në 100 ditët e para të qeverisjes dhe do të nisë me një ndryshim të ndjeshëm në qasje dhe në rezultate që do të konsolidohet pa ndërprerje për katër vite me radhë."

"E kemi ne në dorë të rrisim ende shumë më lart nivelin e sigurisë në vend, të shërbimit policor në territor; të godasim fort çdo “të fortë” që sfidon rendin dhe qetësinë e njerëzve të zakonshëm në komunitet; të vazhdojmë ta ripërtërijmë trupën tonë policore, duke e ulur sistematikisht më tej moshën dhe duke rritur profesionalizmin e saj. Dhe do ta bëjmë!"

"Do të angazhohemi fuqimisht, në bashkëpunim me pushtetin vendor, pa dallim majtas, apo djathtas, për të mbyllur përfundimisht kapitullin kaq shumëvjeçar të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Po ashtu, do të mbyllim edhe procesin e legalizimeve."

"Qasja jonë ndaj mjedisit do të jetë një qasje e re dhe pastërtia e vendit dhe mbrojtja e burimeve tona natyrore do të vihet menjëherë dhe nuk do të lëvizë për asnjë ditë gjatë katër viteve nga rendi i ditës. Shqipëria mund të jetë ende e varfër, por s’ka pse të mos jetë që sot e pastër; mund të jetë një treg shumë i vogël, por s’ka pse të mos jetë një vend shumë i sigurt; mund të mos ketë raketa, avionë, trena të shpejtë, por s’ka asnjë arsye të mos ketë ujë dhe energji për të gjithë, në të gjithë territorin, siguri të garantuar dhe mundësi të barabarta për secilin, zhvillim ekonomik dhe social shumë më domethënës për njeriun e zakonshëm."

Fjalimi i Ramës ishte sot në një farë mënyre ajo çfarë kryeministri kishte përsëritur disa herë gjatë javëve të fundit. Risia ishte ftesa e dialogut me të cilën Qeveria do të përpiqet të çojë përpara prioritetet e këtij mandati. Në dyert e selisë blu, është komentuar si një "fjalim bosh", por përtej kësaj kundërshtarët politikë nuk kanë ofruar asnjë opsion të dytë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. Child Eagle   e Martë 12 Shtator, 2017

    DUKE DURUAR U THINJ KOKA DHE PO MBETEMI QEROSE.