Patozi: ''Besëlidhja'' kauzë e vdekur dhe hipokrite

Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, deklaroi sot se Shqipëria nuk ka sot një krizë sovraniteti.

“Nëse sot bëhet sondazh nëse shqiptarët janë të gatshëm t’ia dorëzojnë sovranitetin e tyre BE-së apo SHBA-së, sigurisht rezultati do të jetë i keq për “sovranistët”, tha Patozi, në një intervistë televizive.

Patozi e cilësoi “Besëlidhjen” e Presidentit të Republikës, Ilir Meta si një “kauzë të vdekur dhe hipokrite”.

“Mendoj që e ashtuquajtura Besëlidhja nuk është gjëja më e duhur për Shqipërinë, është lëvizje hipokrite që nuk ka të bëjë me atë që kanë nevojë shqiptarët. Duket sikur shqiptarët janë në krizë sovraniteti, por kjo nuk është e vërtetë. Nëse sot bëhet sondazh nëse shqiptarët janë të gatshëm t’ia dorëzojnë sovranitetin e tyre BE-së apo SHBA-së, sigurisht rezultati do të jetë i keq për “sovranistët”, tha Patozi.

“Shqipëria vërtet ka një problem me Kushtetutën, por jo për atë që thotë presidenti. Shqipëria duhet të kthejë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, por jo se ajo që kemi është shkelur. Është kauzë e vdekur që nuk e bën më të fortë opozitën dhe nuk i shton andrralla qeverisjes”, deklaroi Patozi.

“Shqipëria ka nevojë për opozitë të fortë, jo për një president që të bëjë opozitën. Në rast se kauza e presidentit do të ishte reale, atë flamur duhet ta merrte opozita”, tha ai.

“Kjo është një betejë për terren mes të majtëve. Ilir Meta ndihet ngushtë me “kafazin” e presidentit ku e ka futur Rama”, shtoi Patozi.

“Njerëzit duhet të zgjohen, shqiptarët e neveritur nga kjo lloj politike, ku të njëjtët personazhe i shfaqen nëpër marrëveshje të pista dhe në luftë bulevardi duhet ta ndryshojnë këtë realitet sepse do të kalojnë edhe 30 vite njësoj”, theksoi koordinatori i Bindjes Demokratike.

Sipas Patozit, “opozita bëhet më e dobët kur presidenti del në rrugë sepse krijohen dyshime se kush është kryetari i opozitës”.

Më tej, Patozi nënvizoi se “për të bërë shumicën e shqiptarëve me veten duhet të jesh frymëzues, nuk mjafton të thuash se kjo qeveri nuk bën, pasi kjo është e qartë që nuk bën”.

“Duhet të tregosh që je ndryshe nga kundërshtari. Opozita e Bashës dhe Kryemadhit nuk po e bën këtë, pasi kishte shansin ta bënte te Reforma Zgjedhore. Duhej që opozita të kishte propozime radikale, duke nisur nga sistemi. Prekja e sistemit është shenjë që opozita duhet t’i japë shqiptarëve se ka ndërmend të bëjë ndryshimin e vërtetë në politikbërje, jo rotacionin”, tha Patozi.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet