Përdorimi politik i Presidencës/ Koha për ligj të ri

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla informoi sot se “Kuvendi do të shqyrtojë dekretin e Presidentit Ilir Meta për betimet në Kushtetuese, të firmosur në mitingun e 2 marsit”.

“Shpresoj që të ketë argumente që bashkëshoqërojnë dekretin dhe të mos jetë përfshirë gjuha e rrugës. Duhet të ketë argumente të qenësishme që të mund të merren në shqyrtim nga komisioni i Ligjeve dhe më pas Kuvendi të shprehet me votë”, tha Balla.

Megjithatë ai shprehu bindjen se “ndryshime të kryera nga Kuvendi i Shqipërisë me shumicë të cilësuar votash, janë ndryshime që kanë dhe përmbajnë në vetvete mekanizma të domosdoshëm zhbllokues në rastet kur zyra të caktuara të shtetit uzurpohen nga persona që risjellin historitë e vjetra të bllokimit në institucionet e reja të drejtësisë”.

“Nuk përgjigjem me emocione, por me qetësi, respekt dhe drejtësi. E garantoj Presidentin se do ta shqyrtojmë dekretin dhe shpresojmë që të gjejmë argumente që merren në konsideratë. Deputeti Adnor Shameti është një prej profesorëve më të nderuar së të drejtës në vend dhe nuk ka dyshim se njohja mbi Kushtetutën dhe jurisprudencën në tërësi e Shametit është shumë herë më e lartë se e Metës. Shameti është iniciues i këtij ligji dhe është në Kuvend si deputet i Skraparit, shpresoj se Presidenti gjithë këtë inat ndaj ligjit të mos e ketë pasur me deputetin iniciues”, tha Balla.

Ai theksoi se “në seancën e nesërme Kuvendi do të njoftohet për mbërritjen e dekretit dhe prej atij momenti hyn në kalendarin e Kuvendit, që është 3-javor”.

“Shpresoj se komisioni përgjegjës të marri kohën e nevojshme për ta shqyrtuar atë dhe në mos në seancën e 19 marsit, në seancën tjetër të jetë gati”, tha Balla

Balla theksoi se “ne kemi mbështetur një projektligj të bazuar tërësisht edhe në opinionet e Komisionit të Venecias, që është institucion i gjithëpranuar për këshillat dhe jurisprudencën e rëndësishme që jep”.

“Në këtë kuptim sqaroj se Komisioni i Venecias e ka të qartë opinionin e vetë lidhur me mekanizmat zhbllokues. Raporti paraprak do të jetë gati brenda pak ditësh. Nuk do të ketë takim në Venecia për shkak të arsyeve që tashmë dihen, por do të ketë një takim përmes botës dixhitale dhe brenda ditës së Sulltan Novruzit, do të kemi dhe raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias”, tha Balla.

Balla theksoi po ashtu se “ka ardhur koha për ligjin për Presidentin e Republikës. “Ka ardhur koha, që ashtu sikurse kemi rregulluar me ligje të posaçme funksionalitetin e shumë institucioneve jemi të vonuar, madje shumë të vonuar, për të rregulluar funksionalitetin dhe organizimin e institucionit të Presidentit të Republikës me një ligj si në çdo vend në botë që parashikon edhe rastet kur Presidenti i Republikës merr foltoren dhe e përdor atë për një garë të brendshme të opozitës”, tha Balla. /ata/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet