Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese pas opinionit të Venecias, Meta kërkon takim me Ruçin

Presidenti Ilir Meta bëri të ditur sot në një dalje për mediet se i ka dërguar një shkresë kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi për një takim, pas raportit final të Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Metës, është urgjente ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetuese.

“Si President i Republikës, siç kam qenë gjithmonë i palodhur në kërkim të bashkëpunimit për zbatimin kushtetues të Reformës në Drejtësi, do të vijoj të jem kështu edhe pas raportit final të Komisionit të Venecias dhe sot i kemi përcjellë shkresën zyrtare Kryetarit të Kuvendit për të zhvilluar një takim sa më parë që ai të ketë mundësi, duke filluar nga e hëna që vjen”, u shpreh Meta.

Sipas tij, kjo është shumë e rëndësishme, sepse “Gjykata Kushtetuese duhet të jetë sa më shpejt funksionale në interes të shqiptarëve, por edhe sa i takon procesit të integrimit”.

“Shpreh vendosmërinë e Presidentit për të qenë gjithmonë bashkëpunues me të gjitha institucionet, siç kam qenë përherë, në mënyrë që në Shqipëri Reforma në Drejtësi të fitojë shpejtësinë e humbur dhe të rifitojë besimin e qytetarëve. Së dyti, implementimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias është e vetmja rrugë për të ecur përpara. Rekomandimet janë të qarta edhe në shqip”, tha Meta.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet