Propozimet e Bashës për krizën: '2.500 testime në ditë. Dyfishim të ndihmës ekonomike dhe çek për pensionistët'

Kryedemokrati Lulzim Basha doli këtë të martë me pesë pika që sipas tij duhet të aplikohen për të dalë nga kriza. Lideri i opozitës propozoi që sistemi shëndetësor të përgatitet dhe mbështetet duke kryer 2.500 testime në ditë për koronavirusin; duke siguruar rimbursim të plotë për mjekimin ambulator; duke siguruar pajisjet mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor si edhe një bonus 1000 euro për çdo mjek e 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm. Basha propozoi edhe mbështetje ekonomike për ata që kanë humbur vendin e punës.

“Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekë të reja në muaj, përvec pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh. Krijimi i një Fondi të Punësimit për të mbështetur bizneset për të rimarrë në punë të larguarit gjatë pandemisë, duke i alokuar cdo punëdhënësi që rimerr në punë një individ që ka humbur vendin e punës prej pandemisë, një shumë mujore prej 20 mijë lekë të reja në muaj për një periudhe prej 6 muaj.”

Një nga propozimet e Lulzim Bashës ishte edhe që të dyfishohet ndihma ekonomike, për çdo pensionist të akordohet një çek mujor prej 2 mijë lekësh të rinj për 6 muajt e ardhshëm dhe një çek prej 1000 eurosh për çdo biznes të vogël aktiv.

Gjithashtu, Basha kërkoi që për fëmijët dhe mësuesit në shkolla të ketë më shumë kushte, duke garantuar ujë e dezinfektantë. Po ashtu, sipas tij, duhet të kryhet testimi periodik i mësuesve dhe të investohet në teknologji për të mundësuar mësimin online kur të jetë e nevojshme. Kreu i opozitës shtoi se për të zgjidhur krizën duhet edhe një subvencionim 50% i qirasë për ambientet e punës ose heqje e taksës së pronës për bizneset pronare të ambienteve të punës.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet