Rama fton opozitën në dialog

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot i gatshëm të dialogojë në çdo moment me opozitën jashtëparlamentare, por theksoi se “nuk jemi të gatshëm të negociojmë asgjë që lidhet me vullnetin e popullit të shprehur me votë”. Gjatë konferencës për shtyp, Kryeministri foli për situatën politike në vend, ndërsa u shpreh se “nuk ka asnjë iniciativë të ndërkombëtarëve për një komunikim me Bashën për zgjidhjen e krizës politike”.

“Unë nuk jam i gatshëm që të harxhoj kohën time dhe të njerëzve në këtë muhabet çdo ditë, sepse me të drejtë çdo njeri i zakonshëm i këtij vendi mund të thotë: ‘ik se na rrokanisët kokën që të gjithë’. Ka shumë gjëra më të rëndësishme dhe detyra më të rëndësishme për mua sot, se sa të pres Lulzim Bashën apo Monika Kryemadhin, apo këdo qoftë tjetër që të kandisen për të folur. Është puna e tyre. Ne kemi marrë një barrë që mua më ka hequr përfundimisht mundësinë e atij pak gjumi që bëja më parë, sepse duhet të drejtojmë të gjitha bashkitë e vendit”, tha Rama. Kryeministri tha se “këtë barrë ne kemi detyrën ta mbajmë me dinjitet dhe sukses”.

“Është një punë kolosale për të gjitha ato që thashë dhe shumë të tjera që nuk është vendi dhe koha. Fokusi im nuk është kjo loja ‘macja me miun’ e atyre që zgjodhën një rrugë që për mua ka qenë e qartë që ditën e parë. Ua kam thënë kur ishim në parlament, kjo rrugë do t’ju çoj më keq se sa jeni. E zgjodhën dhe të gjitha i kanë vendosur vetë”, vijoi kryeministri.

Rama tha se në politikë, kur merr vendime duhet të marrësh edhe përgjegjësi. “Për sa kohë ata do të vazhdojnë të pranojnë vendime të imponuara nga i pari i tyre dhe të mos kërkojnë përgjegjësi nga ata që marrin vendimet, jemi para një situate kur nuk ke për çfarë flet”, tha ai.

Kryeministri theksoi se “prioritetet e mia janë informaliteti, shërbimet për njerëzit dhe transformimet e domosdoshme që duhet të vazhdojmë të bëjmë në bashkitë tona”.

“Nuk jam më kryetari i PS-së me një numër të caktuar drejtuesish në bashki dhe s’jam më thjesht njëri që duhet të mjaftohet apo mund të mjaftohem me faktin që një zonjë ‘molotov’ nuk dëgjon dhe nuk kupton dhe Shkodra mbetet pa u zhvilluar. Tani duhet të tregojmë, dhe të punojmë për të treguar me vepra dhe fjalë, që dimë të ndryshojmë Shkodrën, Kukësin, Beratin e me radhë, që deri më sot jemi përpjekur, por nuk janë gjetur interlokutor”, tha Rama.

Rriitja e ekonomisë, punësimit, sigurisë ushqimore, kushteve për punësim, sipas Ramës, “janë shumë më të rëndësishme se sa muhabeti: ‘e takove apo jo’. Ne jemi gati, unë jam gati, nuk kam asnjë paragjykim, asnjë kusht, duam të ulemi dhe të diskutojmë për të ardhmen që vjen më shpejt se sa duket. 2021 është shumë afër, shumë më afër se sa u duket atyre dhe nëse ata vazhdojnë kështu 2021-n e kanë paketuar përsëri me duart e tyre”, tha Rama.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet