Shqipëria do ti falë Greqisë 12 milje det? Shpifje

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën greke, Ta Nea, ndër të tjera ka deklaruar se çështja e detit do të zgjidhet së shpejti, pasi dy qeveritë, si ajo shqiptare edhe greke, janë fare pranë marrëveshjes lidhur me kufinjtë. Ajo që theksoi kreu i qeverisë për këtë marrëveshje, është se do të jetë e drejtë për të dy palët dhe nuk do të lë probleme të hapura mes dy vendeve fshinje. Për çështjen çame, Rama nuk nguroi të shprehë se kjo është çështje e të drejtave themelore të njeriut, ndaj ata si çdo qytetar europian kanë të drejtë të udhëtojnë në Greqi.

Ndërkohë nga ana tjetër ministri Bushati në një interpelancë me studentët e ekselencës përmes Platformës së Bashkëqeverisjes, sqaroi edhe një herë deklaratën e homologut të tij grek, Nikos Kotzias se Shqipëria do t’i fal Greqisë 12 milje det. Ai i cilësoi këto deklarata si shpifje, ndërsa tha se marrëveshja e re do të jetë më e favorshme se ajo e vitit 2009.

“Deklaratat që do i falim Greqisë 12 milje, apo shitje të zonave naftëmbajtëse është thjesht një shpifje dhe koha do ta vërtetojë. Ne shpresojmë që në një kohë jo të largët do kemi këtë marrëveshje të re disa herë më të vlefshme se e para. Kemi një marrëveshje të shfuqizuar nga Kushtetuesja, pikërisht vendimi i kësaj gjykate është pikënisje dhe pika e parë për një marrëveshje të re. Për Shqipërinë dhe Greqinë burojnë disa të drejta e detyrime nga të drejtat ndërkombëtare. Pika e dytë e kontaktit tonë është e drejta ndërkombëtare. Së treti, kemi legjislacion të brendshëm ku dy palët ulen në negociata e marrin për bazë edhe legjislacionin e brendshëm. Në 2009 qeveria Berisha ka ndjekur një metodë të baraslargësisë. Ne duam që të ndjekim me përpikmëri vendimmarrjen duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të drejtën ndërkombëtare. Ne do kemi një marrëveshje disa herë më të drejtë se ajo e 2009. Nga ana tjetër Greqia do lidhë një marrëveshje që të mund ta zbatojë në praktikë”, u shpreh Ditmir Bushati.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet