Rama lë Zahon...verifikoni lajmet

Kryeministri thumbon e sqaron mediat. Nuk ka taksa të reja për pagat. RTVSH do të zgjidhet brenda shtatorit

HIMARE - T'i jetë referuar media, burimeve jozyrtare dhe jo të besueshme kur tha se 'pagat nën 30 mijë lekë do të taksohen' ? Kryeministri Rama i quan "letra të rëndomta pune të kontabilistëve të ministrisë së Financave", lë për pak Zahon me komerdaren e tij në Himarë dhe i ngre telefonin mediave. Jo, nuk do të ketë taksim të pagës nga 30 mijë e më pak, kjo bie ndesh me politikën e ndjekur nga Rilindja për taksimin e ndershëm, pastaj ironizon mediat sepse lajmet nuk verifikohen, por për fat publiku vlerëson ngjarjet, faktet, qeverinë e opozitën, "me një distancë dhe objektivitet shumë më të admirueshëm". Cili ishte lajmi që i prishi qetësinë kryeministrit ? Ai për taksimin e pagave me siguri dhe zinxhiri interpretimeve që pasoi më pas, por nuk është vetëm kjo. Rama ka dhe një "jaht" në pushimet e tij, kështu e quan komerdaren e të birit, që u bë një jaht në media, aq sa i prishi dhe qetësinë një helikopter gjerman që i fluturoi sipër. Të jetë i vërtetë ? Plasin përsëri batutat "i vetmi jaht që kemi është komerdarja e Zahos ku ka vend vetëm për të" thotë Rama që për RTVSHnë pranon se ishte "një gabim i yni që, nisur nga qëllimi i mirë për të gjetur konsensus me opozitën...lejuam vijimin e një rrënimi të hatashëm pa bërë asgjë...besoj se nuk duhet dhe nuk do të vazhdojmë të gabojmë. Shqiptarët...kanë të drejtën të kenë më në fund median e tyre publike" por kjo pas një tjetër tentative me opozitën. Përfundimisht duket se çështja e RTVSHsë do të mbyllet brenda një muaji, "them se nuk do të presim përtej shtatorit" siguron kryeministri.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet