Rama, reformat janë të vonuara

LEZHE - Kryeministri Edi Rama i pranishëm në aktivitetin me temë “Të pastrojmë Shqipërinë” që u mbajt të premten pasdite në Lezhë, vlerësoi se e ardhmja e gjeneratës së 25 viteve të ardhshme, varet nga ajo ç’ka po bëhet sot, duke iu referuar procesit reformues të disa prej sektorëve më të rëndësishëm të shtetbërjes.

I përqendruar në pozicionin e kreut të PS-së, Rama theksoi se “Partia Socialiste ka në dorë fatin se si do të jetë Shqipëria e 25 viteve të ardhshme, pasi kemi marrë një besim të madh për të qenë garanci, së pari për gjeneratën tjetër.”

Për kryeministrin, klasa politike e pas ’90-ës është tejet e vonuar në përmbushjen e reformave që sipas tij, duheshin përbyllur shume vite më parë.

Duke vënë në dukje arritjet e deritanishme të maxhorancës qeverisëse si inciatore e proceseve reformuese, Rama renditi një sërë reformash tashmë të startuara në sektorët më jetik në vend.

“Jemi në kushtet kur shpëtuam vendin nga epidemia e ndërtimeve pa leje. Jemi në kushtet kur duhet të përballemi me dhjetra mijëra të “gjymtuar” nga një sistem arsimor fals. Jemi në kushtet kur kemi ende problem madhor titujt e pronësisë”, evidentoi Rama.

Gjithashtu, Rama foli edhe për realitetin në të cilin e mori vendin për ta drejtuar dy vite më parë. “Çdo sektor ishte i kapur nga kanceri. Energjia, si burim kryesor i fitimit për të gjithë popullin shqiptar, qe kthyer në problemin me të madh të shqiptarëve dhe vet shtetit. Gjetëm një vend me një ushtri të papunësh me diploma të dala nga një sistem arsimor paramidal, larg nevojave që imponon tregu i punës”, vuri në dukje ai.

Përvec arritjeve, sipas tij transformuese në sektorin e shëndetësisë, Kryeministri veçoi si arritje të qeverisjes dy vjeçare edhe heqjen e taksës së sheshtë, ç’ka coi në rritjen të rrogave në masën 7.5 %.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet