Rama: Asnjë lek për investime bashkive që nuk çojnë para reformën e ujit

Kryeministri Rama ka paralajmëruar të gjitha bashkitë, se nëse nuk çojnë para reformën e ujit me vendosmëri, nuk do të kenë asnjë fond nga qeveria. Gjatë promovimit të programit “100 Fshatrat”, si pjesë e Rilindjes Rurale, kreu i qeverisë u shpreh ashpër ndaj bashkive duke deklaruar se nëse nëpërmjet performancës dhe punës së tyre nuk do të mund të arrijnë thithjen e fondeve alternative, do të humbin edhe ato që u siguron qeveria.

“E kemi thënë shumë qartë, lidhur me ujin, se nuk do të japim asnjë lek për investime në ujësjellës, për bashki që nuk performojnë dhe nuk çojnë përpara, me vendosmëri, reformën e ujit. Po ashtu nuk do të japim asnjë kokërr leku mbështetje për infrastrukturë rurale, për bashki, të cilat nuk janë aktive në thithjen e fondeve alternative, pra, të AZHBRS-së, të Komisionit Europian, të Fondit të Garancisë, për investime në pika grumbullimi, në pika agropërpunimi dhe në agroturizëm”, deklaroi Rama. Ai u shpreh gjithashtu se nuk do të investojnë më në rrugë që s'kanë vlerë e që s'të çojnë gjëkundi. Qeveria do të investojë vetëm në rrugë prodhimi dhe rrugë zhvillimi turistik në të gjithë fshatrat.

“Ne do investojmë rrugë prodhimi, do investojmë rrugë zhvillimi turistik në të gjithë hapësirën rurale. Kështu do t’i japim njerëzve në hapësirën rurale mundësinë që të shikojnë të ardhme me të ardhura dhe me fitime. Kështu do u japim mundësinë të rinjve që të kuptojnë se në hapësirën rurale, ku babai ka një tokë, nuk do të thotë domosdoshmërisht të marrësh shatin dhe t’i biesh tokës, por me fantazi dhe me guxim mund të ndërtosh agroturizëm, duke shfrytëzuar shtëpinë e vjetër të gjyshit dhe duke bashkuar bashkë disa fermerë rreth e rrotull që sjellin produktet dhe bëhesh i pasur.”

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet