Rama: Metodologjia e re shpresoj të rezultojë si një platformë mirëkuptimi brenda shteteve anëtare

Kryeministri Edi Rama shprehu mbrëmjen e sotme mirënjohjen ndaj presidentit të Këshillit të ri Europian dhe të gjithë atyre që po bëjnë përpjekje për t’i dhënë shtysë procesit të hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Në një prononcim për mediet përpara tryezës së përbashkët “BE dhe Krerët e Vendeve të Ballkanit Perëndimor”, Rama vuri në dukje se “të gjithë u ulën paksa me vështirësi sot në Bruksel, kështu që është një lloj sinjali se mbërritja për ne nuk do të jetë e lehtë”.

Por, tha ai, “në të njëjtën kohë i jemi shumë mirënjohës Presidentit të Këshillit të ri Europian dhe të gjithëve këtu që po bëjnë shumë përpjekje për t’i dhënë shtysë procesit”.

“Në të njëjtën kohë, jemi shumë të interesuar të shohim e të diskutojmë metodologjinë e re, e cila shpresoj që do të rezultojë si një platformë mirëkuptimi brenda shteteve anëtare”, vijoi kryeministri Rama.

Rama foli edhe konferencën e nesërme të Donatorëve për Shqipërinë për procesin e Rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit.

“ Po kështu, për ne, Shqipërinë, nesër është dita e madhe, sepse kemi Konferencën e Donatorëve për përballimin e situatës pas tërmetit dhe po shpresoj shumë se do të gjejmë mjaftueshëm solidaritet e mbështetje për të ecur përpara me rindërtimin”, u shpreh kryeministri.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet