Raporti OSBE/ODIHR, komentet: Basha, qeveria punoi kundër qytetarëve. Bushati, u përmirësua standarti

Qeveria dhe opozita tërheqin pas vetes raportin e ndërkombëtareve dhe sulmojnë kundërshtarin. Qytetarët ende nën presionin e një politike jashtë standartit

TIRANE - Dy qëndrime krejtësisht të kundërta për raportin e zgjedhjeve te OSBE/ODIHR kanë mbajtur qeveria dhe opozita shqiptare. Ministri i jashtëm Ditmir Bushati thotë se, Shqipëria po organizon një proçes zgjedhor të qetë, ku dita e votimit, siç përshkruhet në raport, ishte krejt normale dhe vetë fushata elektorale u karakterizua me një klimë zgjedhore pozitive dhe paqësore. Sipas tij, pjesëmarrja aktive e minoriteteve promovimi në të gjitha nivelet i barazisë gjinore, programet edukative dhe informimi bënë këto zgjedhje më gjithëpërfshirëse, dhe siguruan një hapësirë përfaqësimi të garantuar për të gjithë. Bushati nënvizoi se nuk e habit fakti që partitë të ndryshme mund ta interpretojnë ndryshe këtë raport, por nënvizoi se aty “thuhet se në 93% të qendrave të votimit nuk u vunë re probleme”. Një qëndrim krejt të kundërt ka mbajtur kreu i opozitës Lulzim Basha: "Më 21 Qershor në Shqipëri nuk u mbajtën zgjedhje të lira dhe ndershme sepse Qeveria zhbëri dhe dhunoi standardet themelore të tyre bazuar ne Kartën e Kopenhagës. Zgjedhjet e 21 qershorit dhunuan edhe një kriter tjetër themelor të Kartës së Kopenhagës, që është ndarja e partisë nga shteti. Raporti sjell prova dhe fakte se zgjedhjet nuk ishin konkurencë alternativash midis partive politike, por ato u shndërruan në një garë të qeverisë dhe shtetit kundër qytetarëve dhe opozitës" shkruan Basha në fb.

Analiza: Siç ndodh zakonisht në Shqipëri kundërshtarët më të mëdhenj në politikën shqiptare, interpretojnë raportin e ndërkombëtarëve për të qenë më të afërt me vetëm votuesit e vet dhe duke përdorur një gjuhë të egër, çfarë nuk ka ndryshuar shumë me kalimin e viteve. Është pikërisht kjo e fundit që ka larguar dhe vazhdon të largojë qytetarët nga përfshirja aktive në politikë dhe pse rëndom dhe në nivel thashethemesh nuk flitet veçse për të. Brenda saj ata ndjehen nën një presion të fortë psikologjik. Ndoshta kjo është anomalia e shoqërisë shqiptare. Një analizë më të ftohtë për zgjedhjen ka mbajtur sot Koalicioni për zgjedhje të ndershme, që ka kërkuar nga Parlamenti një përfshirje të qytetarëve në reformë zgjedhore dhe ka evidentuar parregullsitë postzgjedhore dhe presionet gjatë numërimit të votave, së bashku me influencat e partive politike gjatë këtij proçesi.

Author
Doriana Metollari

Doriana Metollari, është gazetare dhe Editore e platformes informative online Hermesnews.al, themeluar në Itali në vitin 2006. Ka menaxhuar dhe disa gazeta të tjera online po në Itali, një prej tyre dhe në bashkëpunimin me kompaninë 'Edizioni Vivere' në Le Marche. Ajo ka drejtuar po ashtu projekte për Bashkimin Europian dhe për OKBnë në fushën e të drejtave, kulturës, teknologjisë dhe gazetarisë. Libri i saj i parë 'G-online' është një manual bazë për komunikimin online, gazetarinë dhe mediat sociale.

Shkruaj një koment

0 Komentet