Zgjedhjet 2017: jo më postera vend e pa vend

Bashkëkryetari socialist i Komisionit të posaçëm për Reformën zgjedhore, Taulant Balla bëri të ditur të premten se i është drejtuar Kuvendit me kërkesën për zgjatjen me 60 ditë të mandatit te komisionit te posaçëm, me qëllim jetësimin e rekomandimeve te OSBE/ODIHR-t në Kodin zgjedhor. Balla gjithashtu informoi se prej ditësh ka vënë në dijeni dhe përfaqësuesit e opozitës për paketën e amendamenteve të përgatitura nga Partia Socialiste lidhur me adresimin e rekomandimeve të ndërkombëtarëve. "Kryesore në këto propozime, tha ai, është depolitizimi i komisioneve zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë, përkatësisht i anëtarit të 7 të komisioneve zonale të administrimit zgjedhor (KZAZ) dhe komisionit të qendrave të votimit". Një propozim tjetër nga PS, ka të bëjë me dimensionin e kontrollit të transparencës së financave të fushatës së partive. “Ajo që duan më shumë shqiptarët është që të mbarojë historia e flamujve dhe posterave vend e pa vend, të cilat duhet të vendosen aty ku do të përcaktohen nga njësitë vendore”, tha bashkëkryetari i komisionit të Reformës zgjedhore.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet