Seancë e jashtëzakonshme/ Rezolutë për shmangien e krizës kushtetuese

Kuvendi mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për të miratuar projektrezolutën për “Shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.

Rezoluta vjen pas nxjerrjes së dekretit nga Presidenti i Republikës “Për emërimin e Marsida Xhaferrllari si anëtare e Gjykatës Kushtetuese”, akt të cilin Kuvendi e konsideron në kundërshtim të hapur dhe flagrant me dispozitat kushtetuese dhe ligjore dhe në tejkalim të kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës.

Në rezolutë thuhet se ky veprim delegjitimon fillimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese.

Përmes kësaj rezolute, Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese, ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi angazhohet të rishikojë legjislacionin për të penguar krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit. /Ata/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet