Shahini: bojkoti dhe ultimatumet nuk janë mjete të nevojshme në këtë periudhë

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini shprehu sot vendosmërinë për të dëgjuar me vëmendje këdo që dëshiron të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë. “Nuk besoj se bojkoti dhe ultimatumet janë mjete të nevojshme në këtë periudhë kur e gjithë vëmendja jonë është tek Arsimi i Lartë. Ne kemi filluar një proces të mirëfilltë të dialogut, ndaj i inkurajoj të gjithë të kontribuojnë në rrugën e pakthyeshme që ka filluar në përmirësimin e eksperiencës studentore dhe cilësisë së arsimit të lartë publik në Shqipëri”, tha Shahini. Për këtë qeveri, tha ajo, “dëgjimi me vëmendje dhe respekt i kujtdo që ka diçka për të thënë, na pëlqen apo jo, është baza e punës dhe vendimmarrjeve tona”. “Sot dhe gjatë ditëve të fundit, kam takuar grupe të ndryshme studentë, pedagogë që kanë shfaqur dyshime, sugjerime apo mbështetje për Paktin për Universitetin. Besoj se kjo është rruga e duhur dhe do të vazhdojmë me çdo pedagog, student apo fakultet”, tha Shahini, përmes një deklarate për mediet. Gjatë këtyre takimeve, sipas saj, janë projektuar edhe nevojat infrastrukturore me projekte konkrete, që rezultojnë në përmirësimin e infrastrukturës në universitetet publike në Shqipëri.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet