Shpifja: Qeveria ''ndreq'' padrejtësitë ndaj zyrtarëve të lartë. Jo një, po tre vite burg

TIRANE - Këshilli i Ministrave ka propozuar një shtojcë në Kodin Penal, për të "ndrequr" një padrejtësi që Kodi u ka bërë zyrtarëve të lartë në mbrojtje ndaj "shpifjes". Qeveria propozon neni 238/a, i cili rrit numrin e viteve me burg, nga një që ishte, në tre, për të gjithë ata (jo vetëm mediat) që shpifin kundër funksionarëve të lartë.

"Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror ose të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet" citojmë nenin e ri.

Pjesë e kësaj padie mund të bëhen dhe publikimet në rrjetet sociale, blogje apo media online.

Qeveria e mbështet këtë projektligj tek praktikat europiane. "Denoncimet shpifëse" që bota i ka "ndrequr" me kohë, cënojnë maksimalisht ndjenjën e sigurisë dhe besimit të qytetarëve tek shteti, arsyeton qeveria në projektligj. Për këtë arsye çështja duhet të sanksionohet qartë në Kodin Penal.

Sipas projektligjit të qeverisë, deri tani mbroheshin nga "shpifja" vetëm qytetarët dhe gjyqtarët, ndërsa kjo "padrejtësi" duhet njohur me anë të një neni të veçantë, zyrtarëve apo funksionarëve të lartë të shtetit. Ministrja për marëdhëniet me parlamentin Ermonela Felaj thotë se propozimi i qeverisë për amendimin e K,P është depozituar në Kuvend dhe pritet të përfshihet në programin e tij.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet