Si e kërcënojnë Shqipërinë vendet e tjera, sipas Shërbimeve të inteligjencës shqiptare?

Sulme kibernetike, presione ekonomike, dezinformim, propagandë, spiunazh kibernetik, aktivitete/operacione influencuese informative dhe psikologjike, këto janë disa nga ndërhyrjet me të cilat shtete të tjera sigurojnë influencën në Shqipëri. Përveç prezencës konstante me format klasike të spiunazhit, rekrutimeve dhe qasjeve ndaj entiteteve e individëve me akses në informacione të klasifikuara dhe sensitive, kjo qasje hibride përfshin edhe mjete të tjera të influencës si lëvizje e parti politike me agjenda nacionaliste e etnike, drejtues të veçantë të tyre, OJQ kulturore, arsimore, shoqata miqësie, grupe biznesi, komunitete fetare, media të caktuara dhe portale mediatike online, institute studimore, grupe e klube tifozerie, etj.

Përpjekjet për investime në sektorë strategjikë të ekonomisë në rajon, synojnë objektiva afatgjatë gjeoekonomike dhe rritje të ndërvarësisë ekonomike, që do sillnin edhe modulime të politikave. Në këtë kuadër, edhe vendi ynë nuk është i përjashtuar. Këto ishin disa prej të dhënave të bëra publik në raportit e Shërbimit informativ shtetëror.

Raporti i SHISH për vitin 2019 sqaron më tej detajet në lidhje me aktivitetet hibride me metodat që shtetet kundërshtare zgjedhin për të destabilizuar një vend tjetër, në rastin konkret Shqipërinë. SHISH thekson në raport se këto aktivitete kryesisht përdoren për synime politike dhe gjeopolitike. Më tej raporti tregon se si kërcënimet e natyrës hibride kanë marrë një dimension tjetër.

Aktivitetet e natyrës hibride përdoren për synime të caktuara politike/gjeopolitike e gjeoekonomike dhe kanë si objektiv kryesor të shkaktojnë destabilitet në një shtet kundërshtar, varësi politike dhe ekonomike. Kërcënimet e natyrës hibride kanë marrë një dimension tjetër që, për nga shkalla, do zëvendësojë metodat klasike të grumbullimit të inteligjencës, favorizuar nga zhvillimi i teknologjisë së informacionit, kostos më të ulët në krahasim me angazhim agjentësh inteligjence, mundësisë së shpërndarjes për një publik më të gjerë dhe impaktit më të madh, sqaron raporti.

Raporti nënvizon se shtetet kundërshtare, përgatisin planet për implementimin e aktiviteteve hibride bazuar në situatën specifike sociale, ekonomike dhe politike të një vendi të caktuar.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet