Situata e sigurisë dhe rendit në Shqipëri, Lleshaj: Më e mirë se të gjitha vitet e kaluara

Situata e sigurisë dhe rendit, jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë Shqipërinë, statistikisht është më e mira se sa të gjitha vitet që kemi kaluar.

Kështu deklaroi sot në Vlorë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një komunikim me gazetarët pas takimit të zhvilluar me strukturat e Policisë së Vlorës.

“Por sigurisht, kjo nuk është një arsye që ne të flemë. Përkundrazi ne synojmë të shtojmë intensitetin e punës së policisë dhe strukturave të tjera për ta përmirësuar më tej rendin, sigurinë publike në Vlorë”, tha Lleshaj.

Ministri Lleshaj u shpreh se “sigurisht, mendojmë dhe besojmë fort që mbështetja e policisë është mbështetje për qytetarët dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim policinë në mënyrë që ajo t’i ketë të gjitha atributet për ta plotësuar misionin e saj mjaft të ndërlikuar dhe të vështirë”.

I pyetur mbi ngritjen e një tjetër njësie antikorrupsion, Lleshaj sqaroi se “njësia është në krijim e sipër, sepse nuk mund të them se si do të jetë trajta përfundimtare e saj por bëhet fjalë për krijimin e një strukture, e cila do të adresojë me theks të veçantë krimin ekonomik dhe korrupsionin, dy fusha të cilat meritojnë qasje të re. Vetëm kaq mund të them sot”.

Pyetjes nëse Anti-KÇK-ja, do të shtrihet edhe në Vlorë, ministri Lleshaj theksoi se: “lufta kundër krimit nuk ka kufizime gjeografike, ajo do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet