Spahia i nxjerr emailin MSH: Zjarri në godinë nuk është fantazi, ra në 15 prill

Partia Demokratike nxori këtë të dielë fakte që provojnë, sipas saj, se zjarri i rënë në godinën e Ministrisë së Shëndetësisë për të djegur dokumentet e tenderave sekretë, është diçka reale.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia bëri publik në një dalje për mediat një email të Ministrisë së Shëndetësisë. Ai deklaroi se në këtë email zyrtar, ministria pranon zjarrin. “Në datën 15 Prill, në orën 18:00, në Ministrinë e Shëndetësisë janë djegur dokumente. Pas rënies së alarmit për zjarr, rojet e godinës kanë konstatuar djegien e dokumenteve në katin e katërt të godinës. Siç e shikoni, kjo nuk është fantazi e jona. Është një email zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, që provon rënien e zjarrit dhe djegien e dokumentave në katin e Zyrës së Prokurimeve, pikërisht atë që mohoi dje paturpësisht Ministrja e Vjedhjeve COVID, Ogerta Manastirliu.

Hajdutëria me tenderat sekret është aq e madhe, saqë nga një krim korrupsioni, qeveria e Edi Ramës po kryen edhe një tjetër vepër penale, siç është asgjësimi dhe fallsifikimi i dokumenteve shtetërorë për të zhdukur provat e megavjedhjes me mjetet mbrojtëse për mjekët, me maskat antiCOVID, me kitet e testimit, me pajisjet shëndetësore të respiratorëve. Në email thuhet shprehimisht: “Pas kontrolleve rezultoi se u gjetën letra të djegura dhe të shuara me ujë në katin e katërt të ndërtesës, tymi i të cilave aktivizoi sinjalin e alarmit”.”

Të shtunën ishte krydemokrati Lulzim Basha ai që akuzoi Ogerta Manastirliun se ka djegur dokumentet e tenderave. Ministrja e mohoi diçka të tillë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet