Spiropali: Çorba e përgjimeve u publikua për shantazh, një ditë para takimit në Këshillin Europian

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali gjatë emisionit “Open” në “Top Channel” ka deklaruar sot se dosja e publikuar nga “Bild” është përdorur si shantazh nga ana e Partisë Demokratike.

“Janë një çorbë që janë përdorur nga shërbëtorët e Sali Berishës në Prokurori që i kanë përdorur këto dosje si shantazh për të negociuar pozicionin e tyre dhe për t’i nxjerrë një ditë para diskutimeve në Këshillin e BE”, tha Spiropali.

“Ne nuk jemi prokurorë, nuk jemi gjykatës, jo më kot përgjimet janë indicje dhe jo provë. U takon prokurorëve t’i çojnë në gjykatë. Dosjet nuk mund të përdoren si shantazh për figura të larta politike, përfshirë kryeministrin. Këto dosje nuk mund të deformohen dhe nuk mund të manipulohen në mënyrë që të helmohen qytetarët”, tha ministrja për Parlamentin.

“Dosjet hetimore nuk mund të përdoren si shantazh ndaj figurave të vendit. Këto dosje nuk mund të manipulohen për të helmuar qytetarët e këtij vendi. Nuk i kanë hetuar këto tre vite, nuk i ka penguar askush. I kanë përdorur si shantazh për të rifituar pozicionet e tyre ose për t’ja dërguar PD-së për t’i nxjerrë një ditë përpara vendimit për negociatat”, u shpreh Spiropali.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet