Të bojkotosh partinë tënde! Demokratët bashkohen me LSI, nuk marrin pjesë në festën e 27 vjetorit të themelimit

Partia Demokratike ka festuar dje në mbrëmjë në Pallatin e Kongreseve 27 vjetorin e themelimit të saj. Pavarsisht fjalës së kreut demokrat, më së shumti ranë në sy mungesa e demokratëve të vërtetë. Themeluesit e kësaj partie nuk ishin pjesë e kësaj feste. Figura si Genc Rulit, Arben Imamit, Eduart Selamit, Astrit Patozi apo Majlinda Bregu, Jozefina Topalli, nuk ishin të pranishëm për të festuar për 27 vjetorin e partisë që ata vetë e krijuan. Kryeministri Rama kishte vendosur të përfaqësohej nga zv/kryetarja Vaslika Hysi, ndërsa LSI nuk ishte prezente ndryshe siç ishte parashikuar. Pavarsisht ftesës së PD për aleaten e saj opozitare, LSI nuk kishte asnjë përfaqësues në festën e PD. Përgjatë fjalës së tij kreu demokrat i bëri thirrje të gjithë demokratëve të bashkohen pasi vetëm kështu partia do të jetë më e fortë. “Le të jetë kjo ditë e 27 vjetorit tonë, dita e një vendimi të madh në zemrën e çdo demokrati dhe demokrate për tu bashkuar, për të guxuar për të punuar si asnjëherë tjetër për këtë ditë të re”. Por demokratët që nuk ishin pjesë e festës kanë reaguar përmes shkrimeve të tyre në rrjetet sociale. Sipas Majlinda Bregut, ftesa e sotme ishte farsa e radhës e kreut të PD-së Basha që bën thirrje për bashkim, në një kohë që siç thotë Bregu, nuk mund të vijë pa marrë përgjegjësitë.

“Ftesa për sot ishte një formalitet për qokë ndaj Lulzim Bashës dhe unë qokë në shpinë timë nuk bëj. Prandaj sot nuk mund të jetë dita e bashkimit. Sepse premtimi i sotëm për bashkim, garë e reflektim është farsa e radhës! Sepse nuk vjen bashkimi, pa marrë përgjegjësinë e pa reflektuar për ndarjen, fyerjen e demokratëve dhe katandisjen e Shqipërisë pas 27 viteve demokraci, pa opozite! Dhe meqë s’ jam as te themeluesit, as te përmbaruesit, zgjodha te mos shkoj”, thotë Bregu. Ndërsa ish deputeti Astrit Patozi është shprehur se:

“Partia Demokratike është duke korrur sot frutet e hidhura të një koncepti anakronik dhe tribal për politikën dhe shtetndërtimin, që kulmoi në marrëveshjen e 18 majit, efektet e së cilës sollën, jo vetëm humbjen shkatërruese në zgjedhjet e 25 qershorit, por edhe gjendjen e pashpresë të opozitës me nisjen e sezonit të ri politik. Është hera e parë në historinë e Shqipërisë pas rënies së komunizmit, që opozita humbet dhe mbështetja e saj bie dhe kur mazhoranca qeveris keq. Farsa e rizgjedhjes së kryetarit humbës më 22 korrik është shembulli më i shëmtuar i deformimit dhe i manipulimit të votës dhe një karshillëk i hapur, jo vetëm për anëtarësinë e partisë, por për gjithë publikun shqiptar. Pas konsumimit të saj, kauza e drejtë për zgjedhjet e lira në Shqipëri është kompromentuar në mënyrë të pariparueshme, sepse opozita sot, për shkak të hallit personal të Lulzim Bashës, ka humbur kartën morale që t’i kërkojë kundërshtarit një gjë që nuk e bën vetë.”

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet