I hapet rruga Teatrit të ri, Parlamenti hedh poshtë Dekretin

Rrëzohet për herë të dytë Dekreti i Presidentit të Republikës Ilir Meta për Teatrin, në Kuvend. Me 74 vota Kuvendi rrëzoi këtë të enjten Dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, që kthente për të dytën herë në Kuvend projektligjin për Teatrin e ri. “74 vota kundër, 1 nuk mori pjesë në votim, rrëzohet dekreti i Presidentit për Teatrin”, tha Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. I vetmi që nuk mori pjesë në votim ishte Ministri i shtetit për Diasporën, Pandeli Majko. Kjo është hera e tretë që Majko refuzon të votojë ligjin për Teatrin. Në muajin korrik, kamerat në Kuvend fokusuan debatin e ashpër mes Majkos dhe Ramës për çështjen e Teatrit. Pas asaj skene, Majko i ofroi dorëheqjen kryeministrit, por ky i fundit e ka refuzuar. Me këtë votim hapet kështu rruga e shpalljes së garës dhe negocimit të kontratës me kompaninë fituese për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, në vend të godinës ekzistuese që do të shembet.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet