Teatri do shembet, godina e re nuk do jetë kullë

Rama prezanton projektin e ri të Teatrit Kombëtar me hapësirë të madhe

Godina ekzistuese e Teatrit Kombëtar do të shembet, duke i dhënë kështu fund një debatit që përfshiu artistët dhe qeverinë.Kryeministri Edi Rama e deklaroi këtë në takimin që u zhvilluar të hënën në COD, për prezantimin e projektit të ri të Teatrit Kombëtar, për të cilin theksoi se do të ndërtohet me formulën partneritet publik-privat. Sipas kreut të qeverisë projekti nuk është kullë dhe madje sipërfaqja e teatrit të ri do të jetë 3-fish më i madh se ai aktual.

“Ndërtesa do shembet dhe mbi gërmadhat e të shkuarës do ngrihet teatri i ri kombëtar. Kushtet e teatrit sot janë poshtëruese për artistët. Nuk do jetë teatër me kullë, por s’do kishte asnjë mëkat të ishte nën kullë, se njerëzit shkojnë të shohin teatër dhe jo kullë. Këtu nuk është historia se çfarë ka sipër, apo anash, pavarësisht se sipër do ketë hapësirë teatrale ne qiell të hapur dhe anash do ketë hapësirat e veta për artistët. Ne kemi bërë për teatrin aq sa pasur mundësi, por kemi bërë më shumë se të gjitha vitet e marra së bashku. Nga 3000 metra katror rrënoja do të kemi 9 mijë metra katror. Nga 1 sallë do të kemi 4 salla për shfaqje. Teatri është pjesë e një propozimi për një partneritet publik privat. Sipërmarrësi garanton projektin për teatrin e ri, por nuk vjen për të humbur”, u shpreh Rama.

Prezantimin e projektit e bëri vetë arkitekti danez Bjarke Ingels. Në këtë prezantim Ingels theksoi që teatri do të ketë gjashtë hapësira. Më i madhja me 600 vende, dy salla eksperimentale, një teatër veror me tarracë dhe një shesh të madh poshtë ndërtesës unike që sërish mund të përdoret për performanca. Sipërfaqja e re do të jetë 9200 m katrorë.

“Ideja tani është që të sigurohet një hapësirë e klasit botëror për shfaqe të ndryshme, ndërtesat ekzistuese nuk janë të afta për të akomoduar një teatër kombëtar”, u shpreh arkitekti Ingels. Menjëherë pas prezantimit artistët u shprehën të paqartë për këtë projekt, duke mos pasur elementë teknikë, si për shembull përmasat e skenës.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet