VETËVENDOSJE! rregjistrohet në Shqipëri

Gjykata e Tiranës ka marrë vendim për të miratuar regjistrimin e Qendrës “Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri” me statusin e organizatës jo fitimprurëse (OJF). Në një deklaratë, kjo Lëvizje thekson se vendimi është në vijimësi të aktivitetit të saj në Shqipëri, dhe tanimë në një formë të re.

“Në qëllim dhe motiv, në parim dhe veprim, përmes këtij themelimi ne do të angazhohemi për aspiratën shekullore të shqiptarëve për bashkim kombëtar, ashtu siç shprehet edhe në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, bashkë me përpjekjen për një shtet zhvillimor që lufton pabarazitë e mëdha ekonomike qe janë krijuar. Frymëzimi ynë rrjedh edhe nga përfytyrimi i të ardhmes për vendin tonë, si vend që ia mundëson grupeve e shtresave të ndryshme shoqërore dhe individëve shpërthimin e potencialeve të tyre, duke zhvilluar e mbrojtur ekonominë e përbashkët dhe atë individuale me drejtësi, demokraci, transparencë dhe përgjegjësi në vendimmarrje”, thuhet në reagim.

“Përmes kësaj forme të organizimit synojmë të bashkëpunojmë me sa më shumë aktorë të shoqërisë civile, akademikë, qytetarë aktivë dhe ekspertë të fushave të ndryshme anembanë Republikës, të gjithë trojeve si dhe në mërgatë. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri do të organizojë inaugurimin në Tiranë për të shënuar fillimin e këtij organizmi të ri, në mes të muajit maj. Njoftimi e ftesa për inaugurimin do të bëhet publike në ditët në vijim”, thekson deklarata.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet