Veliaj në tryezën me të rinjtë: Të gjithë bashkë të kapim trenin për në BE

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u bë pjesë e tryezës me temë “Modeli i Bashkimit Europian – Shqipëri 2018”, ku të rinj nga vendet të ndryshëm simuluan rolet dhe personazhe të ndryshme politike në debatin për integrimin e vendit tonë në Bashmkimin Europian. Në fjalën e tij kryebashkiaku Erion Veliaj evidentoi se sfida në këtë aspekt është e përbashkët për të gjithë institucionet dhe aktorët, përfshi shtetin, qytetet dhe individët.

Ai theksoi se sa i përket rolit të shtetit në drejtim të integrim, duhet të dëshmojë dhe të jap argumente bindëse ndaj BE-së se e meriton të jenë anëtarë i saj, pavarësisht qëndrimeve gjithmonë e në rritje të faktorëve euroskeptikë që ekzistojnë në disa shtete të Bashkimit Europian.

“Unë besoj që në dallim nga shumë të tjerë që me një mendje të lehtë thonë, hë more se ata na kanë inat se kështu kanë qenë gjithmonë, ju përfaqësoni një pjesë shumë të sofistikuar të shoqërisë dhe të rinisë sonë sepse do të thotë që po mendoni edhe për çështje shumë të rëndësishme të brendshme. Pra nuk është pse na kanë inat të tjerët, por si mund të sofistikojmë ne argumentin tonë, gjuhën tonë, lobimin tonë që kjo të arrihet. Vendet e BE i ngjajnë pak a shumë një çatie. Një çati nuk prishet kur i bien tjegullat, por mjafton që njëri prej trarëve të thyhet, nuk mban pastaj e gjithë çatia. Do të thotë se duhet të ketë një konsensus se nëse një nga trarët bie atëherë nuk funksionon kjo strukturë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Duke ndalur te roli i dytë, pra ai i qyteteve, kryebashkiaku Veliaj nisur edhe nga eksperienca e tij në krye të Bashkisë së Tiranës dhe marrëdhënieve që ai ka me shumë krerë bashkish të tjera europiane, u shpreh se qytetet kanë sot një ndikim shumë të madh në orientimin e opinioneve dhe qëndrimeve të vendeve të shtetasve të vendeve të ndryshme. Për këtë ai solli si shembull atë që ndodh në Angli ku ndërsa qeverisja qendrore është për daljen e vendit nga BE, vet Londra qeveriset në nivel vendor nga një politikan që ka si slogan “Londra është e hapur”.

“Ky është një rol që unë e marr shumë seriozisht kur shikoj që shumë prej kolegëve të mi në BE e marrin shumë seriozisht rolin e qyteteve. Shembulli më i mirë për t’u ilustruar është shembulli i Britanisë ku po shkohet në dy drejtime të ndryshme, pra politika shtetërore është për Brexit, për të dalë nga BE, për të kënaqur një elektorat që ndjehet i lodhur nga zgjerimi dhe ka një populizëm në rritje dhe një lëvizje komplet në krahun e kundër të qyteteve. Në qoftë se keni ndjekur fushatën e Sadiq Kahn, “London is open”, sepse ai thotë, mund t’u interesojë disa konservatorëve në Britani të dalin nga Brexit për votat e tyre, a i intereson qytetit tim Londrës ti ikin të gjithë agjencitë euopiane? Kështu që roli i qyteteve po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm”, u shpreh Veliaj.

Por ai u shpreh se roli më i rëndësishmi është ai individual, sidomos tashmë që në botën e internetit secili mund të jetë një zëdhënës i vendit të vet. “Secili prej jush është një media, por kjo është edhe një përgjegjësi. Kjo nuk është vetëm shenjë popullariteti sa veta ju ndjekin, por kjo është edhe një përgjegjësi si komunikoni me ata njerëz. Mund ta shfrytëzoni duke mbjellë helm edhe toksina, duke sharë, duke mallkuar, kjo është një zgjedhje, ose mund ta përdorni duke ndërtuar, duke qenë inkurajues”, tha Veliaj.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet