Vizita në Bruksel, Balla: PE i kërkon Këshillit fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “Parlamenti Europian mbështet dhe i kërkon Këshillit fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Balla tha se gjatë qëndrimit në Bruksel, së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi zhvilluan një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian.

Fillimisht, Ruçi dhe Balla u pritën në një takim të veçantë nga Kryetari i Parlamentit Europian, David Sassoli.

Më pas, ata zhvilluan takime edhe me Kryetarin e Komitetit të Politikës së Jashtme, David McAllister, Zëvendëskryetarin e Grupit PPE, Andrey Kovatchev, Kryetarin e Delegacionit të PE me Shqipërinë, Manolis Kefalogiannis si dhe me Zëvendëskryetaren e Delegacionit të PE-së me Shqipërinë, Bettina Vollath, ku në fokus të bisedave ishte fillimi i bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë me BE.

“Parlamenti Europian mbështet dhe i kërkon Këshillit fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Takime me Kryetarin e Parlamentit Europian David Sassoli, me Kryetarin e Komitetit të Politikës së Jashtme David McAllister, me Zëvendëskryetarin e grupit PPE Andrey Kovatchev, me Kryetarin e Delegacionit të PE me Shqipërinë Manolis Kefalogiannis si dhe me Zëvendëskryetaren e Delegacionit të PE me Shqipërinë Bettina Vollath”, tha Balla.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet