Vota e emigrantëve, Majko: iu dhamë të drejtën Kushtetuese

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, përshëndeti aktin e djeshëm të Këshillit Politik për marrëveshjen për dhënien e të drejtës së votës për shtetasit shqiptarë jashtë vendit.

Në fjalën e tij sot në Kuvend, Majko tha se “komisioni i Këshillit Politik ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm të cilin dua ta përshëndes në mënyrë të veçantë për rakordimin dhe dhënien në parim nga të dyja palët si nga mazhoranca e opozita për të drejtën e votës për shtetasit tanë jashtë vendit”.

“Dje u ndez drita jeshile, jam shpresëplot se në Komisionin e Reformës Zgjedhore do të merren vendimmarrje bazuar mbi këtë marrëveshje midis të gjitha palëve. Ne do të ofrojmë atë të drejtë kushtetuese që ua kemi mohuar për vite të tëra dhe zgjedhje të tëra. Duhet të punojmë fort dhe kjo nuk duhet të kthehet pastaj në sherrnajë që nuk kemi mundësi të nxjerrim pasaportën, dokumentet dhe pastaj të kalohet në një moment gjysmë krize për sa i përket aplikimit të të drejtës së votës”, – nënvizoi Majko.

Më tej Majko tha se “shtyrja pa limit e afatit të pasaportave sidomos për moshën mbi 75 vjeç është një akt i rëndësishëm, i cili prek interesat e shtetasve tanë jashtë vendit kjo edhe për arsye të një varg vështirësish, të cilat unë shpresoj që Ministria e Brendshme së bashku me Ministrinë e Jashtme do ta zgjidhin me kompaninë “Aleat””.

“Kemi pothuajse gjysmën e popullsisë jashtë vendit, duhet të themi se kemi ende shumë ankesa të drejta për mënyrën e ofrimit të këtyre shërbimeve. Po ju sjell dy shembuj. Kemi rastin e Kanadasë, ku të githë shtetasit tanë që jetojnë në Kanada shkojnë në Nju Jork për të bërë pasaportat. Imagjinoni tani ka mbaruar afati 10-vjeçar për të ribërë të gjitha dokumentet qoftë kartën e identitetit apo pasaportën duhet të udhëtojnë minimalisht dy herë nga çdo cep i Kanadasë në drejtim të Nju-Jorkut”, – tha Majko.

Rasti i dytë, vijoi ai, që është ekstrem është rasti i Kretës, ku janë 35 mijë shtetas të Shqipërisë, të cilët duhet të shkojnë me avion dy herë nga Kreta në Athinë dhe të rikthehen përsëri të japin gjurmët e gishtave dhe të rikthehen në shtëpitë e tyre.

“Të presin t’iu vijë lajmërimi dhe të shkojnë përsëri në Athinë. Përveç parave që duhet të paguajnë duhet të bëjnë edhe këto shërbime ekstra”, – u shpreh Majko.

Ministri Majko tha se “ne kemi dhënë një ndihmë të madhe për shtetasit tanë që kalojnë moshën 75 vjeç. Ne shqetësim duhet të kemi menyrën sesi do të organizojmë shpërndarjen e dokumentit të identifikimit dhe pasaportave për shtetasit tanë, të cilët janë të shpërndarë në të gjithë shtetet kryesore të botës”.

“Shpresoj që shumë shpejt së bashku me përfaqësues të ministrisë së Brendshme. Ministrisë së Jashtme të ulemi së bashku me kompaninë “Aleat”, me Drejtorinë Konsullore, me Drejtorinë e Gjendjes Civile, sepse kjo është një nga emergjencat më të mëdha”, tha Majko.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet