Xhaçka takohet me kongresmenë në SHBA

Mbështetja e SHBAsë në Reformën në drejtësi, partneriteti strategjik, investimet në industrinë ushtarake amerikane në Shqipëri, kanë qenë fokusi i diskutimeve të Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, në vizitën zyrtare që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis.

Në një njoftim për mediat nga MM, bëhet e ditur se ministrja Xhaçka në ditën e pare të vizitës u prit në takime të veçanta në Capitol Hill nga senatori Tom Cotton dhe kongresmenët Matt Gaetz dhe Jim McGovern.

Me zyrtarët e lartë amerikanë, ministrja Xhaçka vlerësoi mbështetjen e SHBA-ve për reformën në drejtësi në vendin tonë, duke e cilësuar si shumë të rëndësishme për axhendën europiane të Shqipërisë.

Ndërsa me senatorin Tom Cotton dhe kongresmenët Matt Gaetz e Jim McGovern, ministrja Xhaçka diskutoi gjithashtu mbi partneritetin strategjik mes SHBA dhe Shqipërisë, si dhe mbështetjen e qeverisë amerikane për Forcat tona të Armatosura.

Po ashtu, gjatë qëndrimit në Washington, ministrja Xhaçka u takua me përfaqësues të kompanisë amerikane, elitë në industrinë ushtarake në botë, Lockheed Martin, me të cilën qeveria shqiptare ka lidhur kontratë në muajin nëntor të vitit të kaluar për blerjen e sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës ajrore shqiptare.

Gjatë takimit me përfaqësues të Lockheed Martin, ministrja Xhaçka u shpreh e interesuar për praninë e investimeve të mëtejshme të industrisë ushtarake amerikane në Shqipëri. Ministrja Xhaçka e cilësoi Sistemin e Integruar për Vëzhgimin e hapësirës ajrore me rëndësi, jo vetëm për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por për të gjithë Aleancën.

Gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara, ministrja e Mbrojtjes, do të pritet në një takim të veçantë nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet