Zaev, nuk duhet cënuar integrimi në BE, obligimi i të gjithëve është shteti

“Në asnjë rast, nuk duhet cënuar e ardhmja integruese e vendit në Bashkimin Europian”, tha sot kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Tiranë.

I pyetur nga gazetarët lidhur me protestat e opozitës dhe djegien e mandateve, Zaev tha se “nuk isha në opozitë para 100 vjetësh, janë thjesht 21 muaj më parë kur isha në opozitë, por nuk lejuam të japim përshtypjen para europianëve se jemi kundër fillimit të bisedimeve të vendit tonë me BE-në”.

“Ne jemi miq të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, dhe i dëshirojmë të mirat popullit shqiptar. Vijmë si miq dhe japim mesazhin paqësor që nëpërmjet dialogut të ketë zgjidhje”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut .

Ai theksoi se “e kuptoj opozitën kudo qoftë ajo, të kemi kujdesin tonë ndaj shtetit pa marrë parasysh a jemi në pushte a në opozitë. Prandaj obligimi i të gjithëve është shteti, dhe për shkak të kësaj ekzistojmë si parti politike por ekzistojmë edhe për shkak të qytetarëve dhe në emër të kësaj si mik i Shqipërisë dëshiroj të mirat për këtë vend miqësor, për këtë popull miqësor. Çdo kush ka të drejtën e demonstratave në formë demokratike, por gjithmonë të kemi kujdes për ardhmërinë e vendit”, tha ai.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet