Arkeologët zbulojnë pishinën e kohës bizantine në Durrës

Një pilastër në formë kryqi me lartësi 3,5 m., pranë të cilit ndodhet një sipërfaqe e shtruar me pllaka mermeri, që arkeologët besojnë të jetë përdorur si pishinë, është zbuluar në Durrës. Ndërtesa luksoze i përkiste periudhës bizantine.

Monumenti që nga periudha bizantine ka njohur 4 nivele përdorimi. Pas çdo braktisjeje të niveleve të banimit, hapësira shfrytëzohej për varreza. Një shtresë e djegur jep detaje për banimin e monumentit në mesjetën e hershme dhe të mesme. Por edhe në sipërfaqe, një pus dhe muret e një banese të shek XVIII, dëshmojnë për përdorimin në vijimësi të monumentit.

Gjatë muajit të gërmimeve, të shumtë kanë qenë qytetarët që kanë shfaqur interes për ta parë nga afër këtë panoramë të periudhës bizantine. Një "forum" ekspertësh, me arkeologë, arkitektë, restauratorë, kanë biseduar me qytetarë, mbi funksionin e godinës publike.

Në po të njëjtin vend ku u zbulua pishina antike, rruga Mustafa Varoshi, lagja nr. 11, është gjetur dhe mozaiku Bukuroshja e Durrësit.

Objekti i zbuluar është mbuluar me dhè, për tu ruajtur më mirë, pasi gjendet mes shtëpive të banuara. /Amfora.al/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet