Psikologji: ''Burri nuk të rreh kot !'' Labirinti i dhunës në familje

Historia rrënqethëse e një nëne. Dhuna në familje dhe indiferenca e shoqërisë

HERMESNEWS - “Burri nuk të rreh kot”. Jetojmë në një shoqëri ku dhuna, ky përbindësh i pangopur, është një fenomen për të cilin të gjithë janë në dijeni, por shumë rrallë flitet, diskutohet, luftohet konkretisht kundër saj. Vetëm gjatë kohëve të fundit, faqet e gazetave, edicionet informative kullojnë gjakun e shumë grave, nënave shqiptare që humbin jetën për shkak të dhunës në familje, asaj familje që duhej të ishte një strehë e sigurtë, një folezë dashurie. Atëherë një “e shkreta” apo një “kushedi çka bërë” vulos fatin e një jete që humbet në harresë. Dhuna nuk ekziston vetëm në raste ekstreme ku arrihet në shuarjen e një jete, dhuna për shumë gra dhe nëna është në rendin e ditës, është një përbindësh me të cilin ndeshen çdo ditë dhe nga i cili shuhen çdo ditë shpresat, ëndrrat, besimi, siguria dhe ndoshta ndoshta edhe jeta, e cila nuk është gjë tjetër veçse një pikëarritje përfundimtare e një torture që ka gërryer një jetë prej vitesh, por që askush nuk pati guximin ta ndalonte. Se natyrisht e thotë populli: "Burri nuk të rreh kot !" “Rrobat e pista lahen në shtëpi”. Në pjesën më të madhe të rasteve, përbindëshi dhunë mbetet brenda mureve të shtëpisë. Kjo sepse gjendja e gruas është aq e dobët sa nuk ja vlen të luftosh për t'a ndryshuar. T'ua thuash të afërmve “vetë e more burrin, s'ke pse ankohesh tani”. T'a denoncosh në polici, përveç përqeshjes së policëve, do të duhet të vuash hakmarrjen e babait/burrit-dhunues. Ja çfarë tregon për dhunën një viktimë e saj.

Si nisi historia juaj ? Kur dhe si filluat të pësonit aktet e para të dhunës ?

Historia ime nisi 10 vite më parë kur isha ende adoleshente. Jam rritur në një familje duke parë dhe duke pësuar dhunën që ushtrohej nga im atë, i cili ka qenë dhe mbetet ende një person i dhunshëm. Si adoleshente kërkoja dikë që të më ofronte siguri, të më falte besimin dhe dashurinë për të cilën kisha nevojë. Kështu njoha personin që u bë bashkëshorti im, por vetëm pas tre muash bashkëjetesë filloi edhe ai të përdorte dhunën ndaj meje, por tashmë ishte tepër vonë të tërhiqesha sepse familja ime nuk më mbështeste, im atë më thoshte:”Vetë e deshe, vetë e more, duroje tani!”

Cilat ishin arsyet kryesore përse dhunoheshit nga babai e më pas nga bashkëshorti ? Xhelozia ? Fanatizmi ?

Nga babai ndodhte kryesisht për arsye ekonomike dhe fanatizmi, ndërsa bashkëshorti im është i alkolizuar. Jam munduar shumë herë ta ndihmoj për të mposhtur vartësinë e tij nga alkoli, por më kot, ai refuzon. Edhe sot, nëse ai do të pranonte, do të isha e gatshme ta ndihmoja…

Bashkëshorti juaj ishte i dhunshëm si natyrë apo bëhej agresiv nga alkoli ?

Im shoq është njeri i mrekullueshëm kur nuk abuzon me alkolin, por kur pin transformohet krejtësisht si person saqë as vetë nuk e kupton si i ndodh kjo.

Gjithsesi pija nuk e justifikon dhunën…

Natyrisht ! Ja përse jam munduar shumë herë ta ndihmoj në të gjitha mënyrat e mundshme, por kam dështuar…

Përveç dhunës fizike, gruaja vuan më së tepërmi dhunën psikologjike… Sa shpesh ju ndodhte të pësonit dhunë? A ka pasur raste ku dhuna ka arritur në pika estreme ?

Dhuna përsëritej shpesh, jo çdo ditë, por të paktën një herë në dy javë …Herën e parë kam bërë tentativë vetëvrasjeje (kisha vetëm një vajzë atëhere). Ndërsa dhunën psikologjike e kisha racion të përditshëm…

Po njerëzit tuaj, të afermit, shoqëria ju kanë ofruar ndonjëherë ndihmën e tyre ? Ju kanë qëndruar pranë disi ?

Jo, përveç mamasë, nuk më ka ndihmuar askush. Madje thonin: “Vetë e more atë burrë, dili zot vehtes tani…”

E keni denoncuar dhunën ? Ju ka qenë në ndihmë shteti shqiptar ?

Po e kam denoncuar shumë herë. Hera e parë ka qenë para tre vitesh kur isha në një gjendje vërtetë shumë të rëndë. Shteti më ka qënë në ndihmë deri diku, por jo aq sa duhej. Dua të them se pas denoncimit, im shoq ka marrë paralajmërimin, por pas tre orësh e kanë lëshuar. Ndodh gjithmonë kështu me dhunuesit, lëshohen pas pak orësh, ia hedhin paq e të lirë për t’u hakmarrë…

Por ajo që më ka vrarë më shumë ka qenë sjellja e policisë dhe përçmimi që tregojnë për femrat e dhunuara duke i trajtuar si të përdala. Askush nuk shkon për qejf për të kërkuar ndihmë nga policia kundër dhunës…

Keni kërkuar divorcin nga bashkëshorti juaj ? Keni frikë nga reagimi i tij ? (Zonja zgjodhi të mbetej anonim në intevistë për arsye të qarta)

Para dy vitesh kam paraqitur kërkesën për divorc. Nuk jetojmë më bashkë që në muajin gusht… Edhe ai ka rënë dakort për divorcin, besoj se më në fund e ka kuptuar që martesa jonë e ka humbur totalisht qëllimin e saj. U bënë rreth shtatë muaj që i rris e vetme fëmijët e mi.

Ju keni tre fëmijë. Si dhe sa ka ndikuar tek fëmijët tuaj dhuna në familje ?

Une kam një vajzë dhe dy djem. Fëmijët natyrisht e kanë përjetuar keq dhunen që është ushtruar mbi mua, nuk është se e shfaqin por tek vajza duket qartë pasi ajo është pothuajse dhjetë vjeçe dhe ende nuk flet mirë si bashkëmoshatarët e saj duke qenë se është trembur nga skenat e dhunës…

Ju punoni ? Jeni në gjendje të mbani familjen tuaj ? Pesha është mjaft e rëndë…

Për momentin unë punoj në call center. Pas urdhërit të parë të mbrojtjes, i vura kusht bashkëshortit tim që të më lejonte të punoja, përndryshe do të divorcoheshim dhe ai e pranoi. Faktikisht ai atëherë la alkolin, por fatkeqësisht mua më ndodhi një aksident dhe ai e filloi sërish nga dëshpërimi.

Më parë nuk ju linte të punonit për arsye xhelozie ?

Më tepër se xhelozie, do të thoja për shkak të mentalitetit, sipas të cilit gruaja duhet të qëndrojë në shtëpi dhe t’i përkushtohet vetëm rritjes dhe edukimit të fëmijëve…

Mendoni se edukimi i mirë i fëmijëve që të vegjël ndikon në parandalimin e dhunës duke qenë se ju si nënë keni edhe detyrën të edukoni këta fëmijë të cilët një ditë do të dalin në jetë dhe do të krijojnë familjet e tyre…

Po, pikërisht për këtë arsye kam mbledhur të gjitha forcat e mia dhe kam luftuar e luftoj çdo ditë, pasi nuk dua që fëmijët e mi të rriten në një ambjent dhune e të bëhen si babai apo gjyshi i tyre. Dhuna sjell dhunë dhe nuk është e drejtë që fëmijët e mi të rriten në një ambjent të tillë sepse po vazhdova unë kështu duhet të pres që fëmijët e mi të bëhen kriminela një ditë dhe kjo është e papranueshme për mua si nënë.

Po vajzës suaj dhe të gjitha atyre vajzave apo grave shqiptare që vuajnë pasojat e dhunës, por që për arsye të ndryeshme e groposin dhimbjen në heshtje, çfarë mesazhi apo këshille do u jepnit ?

Do u këshilloja të kërkonin mbështetjen e famijes, të bindin familjarët për vuajtjet e tyre. Përsa i përket shtetit, të them të drejtën, unë e kam humbur shpresën. Natyrisht dhuna duhet denoncuar, por shteti shqiptar në më të shumtën e rasteve nuk u është në ndihmë grave të dhunuara. Madje, mund të them e sigurtë se shpesh ndodh që policia mbështet burrat dhunues…

Të mos kesh besim tek shteti është mjaft e rëndë si akuzë… Ju si grua, si nënë, çfarë do i kërkonit shtetit shqiptar në lidhje me çështjen e dhunës në familje ?

Do i kërkoja të kontrollonte policinë, të vinte njerëz të aftë në detyrë kur bëhet fjalë për mbrojten e qytetarëve, në veçanti për raste të tilla ku kërkohet vendosmëri, integritet dhe aftësi për të kuptuar gjendjen dhe për të ndërhyrë sa nuk është vonë. Si dhe duhet luftuar edhe me opinionin, sepse unë personalisht kam vuajtur shumë nga paragjykimet.

Sipas jush ka barazi gjinore në Shqipëri ?

Nëse ka, është shumë e rrallë… /ripublikim/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet