Klodian Kojashi, lërjani rinisë ''çelësat'' e vendit

HERMESNEWS - Klodian Kojashi është nga Shkodra. Ka lindur në Tiranë më 22 Nëntor 1980. Studimet e larta i ka mbaruar në Piza (Itali) në fushën e komunikimit dhe në Universitetin Luigj Gurakuqi Shkodër dega Juridik. Prej vitit 2010 jeton e punon në Itali. “Ëngjëj pa përvojë” është botimi i tij i parë me poezi. Nëpër librari është shitur sa hap e mbyll sytë. Shumë ndjekës i kërkojnë ta ribotojë. Mbase po. Mbase Klodiani do të shkruajë përsëri. Por ai nuk para bën plane, derisa do ti pëlqejë do të shkruajë. Një ditë mbase nuk ta bëjë më. Por ajo që "i trondit" njerëzit është e vërteta e tij lakuriqe që shkruan tek 'Engjëj pa Përvojë'. Dmth poezia, e parë siç e sheh Klodiani, ndryshe nuk do të kishte kuptim. A nuk e pëlqejnë lexuesit për këtë ?

A e di se jeni i famshëm ?

Në lidhje me famën, më duket se fjala famë vjen nga fjala thanë, me thanë, pra famë asht diçka që thuhet, që s'asht ma e fshehtë. E në këtë kuptim, më vjen mirë, sepse unë mundohem me thanë, me tregu, më nxjerr në dritë gjana që ndjej a që imagjinoj.

Kur ishte takimi yt i parë me poezinë ?

Unë e poezia akoma ndjekim njëna - tjetrën. Takimi me të asht i pamujtun, për mu poezia asht tension, ai sekondi para puthjes në buzë, pritja, pothuajse takimi, pothuajse njohja, pothuajse buzëqeshja, pothuajse gëzimi. Diçka asnjëherë e plotësueme asht poezia, e mu m’pëlqen ndoshta pikërisht për këtë motiv.

Pse shkruan ?

Më duket argëtuese ose ngaqë më asht ba ves. Kur them argëtuese mos e kupto sikur ka vetëm lehtësime, sjell dhe mundim krijimtaria, por janë mundime për të cilat ke nevojë, ose të paktën kështu më duket. Por mund edhe të mos shkruaj, nuk them se s’jetoj dot pa shkrimin. Njeriu jeton gjithsesi. Mbase një ditë s’do shkruaj më e s’do jetë fundi botës, thjesht do kem gjetë diçka ma argëtuese, çliruese, s’do kem ma nevojë për me shkru.

Çfarë i përsërit vetes çdo ditë ?

Asgja. Madje përpiqem që dhe ato çka më vijnë çdo ditë si përsëritëse t’i shoh në një dritë të re. E ndjej se çdo sekond asht i ndryshëm prej tjetrit e unë s’du me kenë aq i saktë, por këmbëngulës në jetë, nuk du me kenë ai që din po ai që din me dëgju, e me mësue në gjithçka.

Cilët janë librat që mban afër ?

Nuk kam ndonjë rregull, ndonjë fiksim, librat që mbaj afër janë rastësor. Unë i la librat nëpër shpi, një mbi divan, një mbi komodinë, dy-tre diku tjetër. Jo se jam ndonjë lexues i madh por më duhet edhe për punën me shfletu libra të ndryshëm. Ime shoqe i sistemon nëpër vende e kjo gja më bëzdis shumë, jo se nuk e du rregullin, por më mundojnë librat kur janë të sistemum, më pëlqejnë të shpërndamë, madje edhe në tokë, 3-4 diku në një qoshe. Mirëpo ime shoqe thotë se me na ardhë kush për vizitë asht marre me na i pa ashtu.

Për çfarë e zgjedh shqipërinë ?

Unë jam kthy me jetue në Shqipni në kohën kur shumica largohej. Sapo kasha mbaru studimet në Itali, punoja atje, por ndjeva dëshirën më ba të kundërtën e asaj çka ishte tendenca e kohës. U ktheva e për gati 10 vite punova në vendin tem në projekte që për mu kanë kenë shumë interesante e të vlefshme. Askush s’asht I pazëvendësueshëm, tash në Shqipni ka shumë të rinj që janë të aftë me punu e me realizu ndryshimin që të gjithë presin. Mjafton që këtyne të rinjve mos me iu kërku përvoja që s’I kanë, por me e ndërtu vendin duke u nisë nga ajo çka kanë përbrenda. Aftësitë zhvillohen me kohën e asnjëherë s’janë të mjaftueshme, ajo çka I shërben vendit tem asht besimi tek njeni tjetri e sidomos tek të rinjtë, u duhen lanë atyne çelsat e vendit. Ndryshime s’do vinë nga politika, ajo po qe e mirë, do i afrohet këtyre ndryshimeve, por ato lindin e zhvillohen tek marrëdhaniet mes njerëzve, ndryshimet lindin e përhapen në gjirin e shoqërisë. Shqipnisë nuk i mungon asgja për me u zhvillu ma tepër, mjafton me heq pak dorë nga propagandat politike e me thirrë njeni tjetrin në bazë të ideve të mira që kena.

Cilat janë kujtimet më të bukura që ke ?

Lindja e tim biri Mirko dhe e mbesës time Iva. Pastaj ka edhe tjera, por edhe shumë gjana që s’kujtoj ma, janë shumë të bukura.

Çfarë të shtyn të ecësh para ?

Jeta asht një përvojë e bukur, e pazëvendësueshme me diçka tjetër, e unë mendoj se i duhet shku deri në fund, duhet njoftë, zbulu, duhet kërku, duhet vujt e dashtë e gëzu bashke me të.

Shumë njerëz i mbajnë mend vargjet e tua, dhe disa prej tyre bëjnë paralelizma me poete të mëdhenj. Si të bën të ndjehesh kjo ?

Kjo më bën të ndjehem keq. Poezia jeme nuk ka pretendime të tilla. Poezia shqiptare mendoj se po përjeton një periudhë tranzicioni, ndryshimi, e në këtë frymë dhe unë po e vendos veten. Nuk jam një poet i madh e nuk du as me ken i tillë. Du me ken kalimtar, du me i përkit kësaj kohe e asgja ma shumë. Vetëm engjëjt, qeset plastike e mbetjet radioactive jetojnë shumë gjatë, se nuk treten dot në tokë. Unë du që si trupi ashtu edhe poezia me u tret me u ba pluhun. Nuk jam një talent në poezi, jam thjesht një njëri i zakonshëm i kohës tonë që me kambëngulje përpiqet me e ba fjalën e vet me thanë gjana.

Ti shkruan për të përditshmen dhe je i drejtpërdrejtë në mesazhet që jep. Të pëlqen të shkruan të vërtetën lakuriqe. A mendon se përpunohet si duhet mesazhi i poezive tuaja ?

Poezia asht gjithmonë një lojë, e me ken poet unë mendoj se mbi gjithçka don me thanë me e vu veten në lojë. Nuk ka randsi si merret mesazhi i poezive të mia, por ndjesia që krijon tek tjetri. Uroj që nga shkollat tona të hiqet pyetja: ç’ka dashtë me thanë autori, por çka ndjen ti, nga kjo që ka thanë autori. Njdesitë e njerëzve janë të rëndësishme, poeti herë thotë diçka herë diçka tjetër e herë tjera edhe ai vetë ka nevojë me gjetë çka shpreh.

Nuk ju pëlqen shumë dalja në publik, megjithatë librat e tu, janë shitur të gjithë dhe shumë fansa pyesnin nëse do të botoni një libër tjeer ?

Them se po, por nuk kam asgja me ngut. Botimi i librave s’të ban as poet ma të mirë as ma të keq. Më pëlqen me shkrue, kjo më intereson për momentin, botimet i ndjej akoma si proçese që s’më përkasin shumë. Sa ma pak që flet autori aq ma tepër flet poezia. Ajo ka nevojë për heshtje, për përditshmëri, jo për drita të forta e shumë zhurmë mediatike. Libri asht shitë krejtësisht brenda një muaji. E them, ngaqë mbizotëron mendimi se librat me poezi nuk shiten. Ka shumë librari që më shkruajne duke më kërkuar kopje tjera. Tash, kjo s’don me thanë që poezite e mia vlejnë ma shumë se poezite e një libri që nuk shitet, pasi me shkrue poezi e me shitë një libër janë dy proçese që s’kanë lidhje. Por mendoj se kam ditë me gjetë njëfarë ekuilibri mes të dyjave. Problemi këtu asht se autorët jane peng të një sistemi anormal. Nëse nuk shet është një gjë, por edhe nëse shet, mes kostos së botuesit e përqindjes së librashitësit, ajo çka i mbet autorit ashtë nganjëherë më pak se vetë kostoja. Pra s’kuptoj këtë logjikën që autori bën mundin e poezive por nga shitjet s’fiton asgja. Ky sistem e ban që autori të hyjë në treg pa pretendime e poezia të shihet si aktivitet i kohës së lirë. Nuk e di si mund të ndryshohet por duhet të ndryshohet se pastaj i bie që të bash një libër vetëm sa me pasë emrin, e ky asht fundi i poezisë.

Çfarë është e bukura ?

Vështirë me dhanë një përcaktim, por ka një pyetje akoma ma të randsishme mendoj unë, e bukura asht liri apo prangosje ? Dëshiroj e përpiqem me lëviz drejt çlirimit e ashtu më duket se kontakti me të bukurën asht ma i shpeshtë e ma i thellë.

Ku ka ngecur Shqipëria sot Klodi ?

Mendoj se sot Shqipëria vuan dy format ma të randa të krimit: mafian dhe varfërinë. Sepse edhe varfëria e skajshme s’asht tjeter veçse shprehje e një sistemi kriminal të randë që s’duhet të ekzistojë.

Çfarë të jep qetësi ?

Fundi i një dite pune, kur më duket se kam punue mire se kam shërbye mire, se kam vu ne dispozocion të njerëzvë atë çka vetë njerëzit më kanë mësu.

Kur shkruan ?

Ma shumë natën, se asht i vetmi moment kur jam vetëm me veten, por nuk asht se kam ndonje kriter të veçantë, thjesht e ndjej se shkrimi kërkon kohë, unë s’jam talent, poezitë e mia nuk dalin me të parën, e pastaj nëse dalin ashtu me të parën, mua kjo gja s’më shijon, se më mungon loja me idete, fjalët, gjetjet, prandaj nuk jam për poezinë magjike që e shkruan menjëherë. Nuk e du frymezimin që të pushton, du me shku me e kërku e me e tërhek deri tek fjala që kam.

Çfarë të frymëzon ?

Mungesa e frymëzimit, ajo koha kur frymëzimin e la me ikë pa shkru asgja, më pëlqen se më ban me u ndi i fuqishëm, shkruaj kur du unë, jo kur don frymëzimi. Si mund të realizohet kjo, nuk e di, por zakonisht shkruaj gjithmonë disa orë pasi kam pasë dëshirën me shkrue.

Çfarë pune bën në Itali përveç krijimtarisë ?

Prej vitesh punoj në fushën e edukimit ndërkulturor. Njohja me diversitetin, teknikat e dëgjimit, dialogut, mediacionit. Bashkëpunoj me një organizatë në mbrojtjen dhe përkujdesjen ndaj familjeve që kërkojnë azil politik

Nëse do të të kërkoja të na thoje tre pika tuaja të forta dhe tre të dobëta, cilat do të ishin ?

Shpesh mendoj se me pasë disa pika të dobëta nuk asht dobësi por forcë, sepse pranon veten, e njef. Ashte një leksion i madh me ditë mos me ken i fortë në disa gjana, një leksion ndjeshmërie, një leksion njerëzor.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

4 Komentet

  1. Arbana Dibra   e Enjte 26 Nëntor, 2015

    Klodi ashtu sic asht ...i mire!

  2. toni  e Enjte 26 Nëntor, 2015

    klodiani asht i vertite nuk ban se duhet e nuk flet se duhet, i sinqerte i thjeshte e shume poet

  3. Linda Dervishi  e Enjte 26 Nëntor, 2015

    Poezia e Klodianit eshte e mrekullueshme e adhuroj e lexoj cdo dite ,me fal nostalgji, mall e shume emocion.Nuk mund ta krahasoj me asnje poet tjeter, sepse eshte shume i vecante ,thjesht shume Klodian! I uroj suksese gjithmone!

  4. mark deda  e Mërkurë 25 Nëntor, 2015

    Klodiani , nje djale qe rinia e sotme duhet te marre shembull ,dhe pse jo ta studjojne.