Mirela Sula, media dhe librat. Sfidat e gruas me vullnet të hekurt

Intervistë me Drejtoren e revistës Albanian Women në Londër, Mirela Sula

LONDER - Mirela Sula është një prej drejtueseve më të sukseshme të revistave shqiptare. Psikologe, shkrimtare dhe grua në karrierë, ekuilibra që ajo di t'i menaxhojë shumë mirë në të përditshme. Pasi diplomohet për Gjuhë-Letërsi, ajo mbaron specializim për Psikoterapinë Pozitive në Akademinë Wisbaden (Gjermani). Aktualisht ndodhet në Londër, ku drejton revistën "Albanian Women" dhe në të njëjtën kohë mbron doktoraturën atje. Ka shkruar mbi dhjetë libra të karakterit poetik dhe psikologjik. Libri saj i fundit "Mos e lër mendjen të ikë" (2012), pati një rekord shitjesh në Panarin e Librit dhe aktualisht po përkthehet në gjuhën angleze në Amerikë. Mirela ka një formulë të sajën për suksesin që është shuma e eksperiencave dhe vullnetit që e shtyn atë në kërkim të jetës së re, qoftë dhe larg vendit. Është grua shumë e vendosur. I pëlqen të bëjë plane dhe të meditojë e pas kësaj natyrshëm fillon çdo të nesërme me patjetër më shumë pozitivitet nëpër sfidat me të cilat sot përballet gruaja në karrierrë (fotot).

Cili është çelësi juaj i suksesit ?

Nuk do të thoja se është sekret, kam përshtypjen se të gjithë e dinë se suksesi nuk është një ngjarje e vetme që të garanton një herë e përgjithmonë stabilitetin që ti ke kërkuar. Suksesi është një proces i tërë që asnjëherë nuk ka fund. Ajo që unë kam ditur gjithmonë është pikërisht kjo e vërtetë, që realizimi i synimeve kërkon të ndërmarrësh një rrugë të gjatë të cilës mund t’i dish vetëm destinacionin por që asnjëherë nuk mund ta dish se sa stacione të duhet të kalosh deri sa të shkosh atje. Është si të nisësh një udhëtim drejt një vendi ku nuk ke shkuar asnjëherë dhe të mos kesh hartë. Ti e di se ku do të mbërrish por nuk e di se si dhe se sa shpejt do ta shohësh veten atje. Mund të ndodhë që të përshkosh kilometra në rrugën e gabuar dhe më pas të vendosësh të kthehesh mbrapsht. Mund të ndodh që gjatë rrugës të zbulosh vende të reja dhe të tundohesh mes dilemës të kthehem mbrapsht, të vazhdoj rrugën për ku jam nisur, apo të ndjek në këtë rrugë pasi edhe kjo diku do më çojë e ndoshta nuk është keq. Në të dyja rastet është zgjedhja jonë ajo që e bën vendimtar fatin tonë. Unë personalisht kam zgjedhur gjithnjë të parën: për mua nuk ka dilema dhe as kthim prapa, kur unë ndiej se kam zbuluar destinacionin tim nuk ndaloj së kërkuari rrugën që do më çojë atje.

Cilat janë sfidat me të cilat një grua duhet të përballet në jetën sociale, për të ruajtur ekuilibrat e saj në jetën private dhe punë ?

Varet se çfarë ekuilibrash kërkon ruash. Secili vendos prioritetet e tij në jetë, qoftë grua apo burrë. Sigurisht që shumë faktorë e vendosin gruan në një pozicion më të brishtë dhe përballë sfidash që e vënë në pozita zgjedhjesh. Dhe kur na duhet të zgjedhim na duhet të heqim dorë nga diçka në mënyrë që të kemi diçka tjetër. Sepse nëse duam të arrijmë diçka që nuk e kemi shpesh na duhet të heqim dorë nga diçka që kemi. E në këtë rast marrja e vendimeve nuk është e lehtë. Për më tepër gruaja shqiptare vjen nga një botë që gjithnjë është sunduar nga burrat dhe shpesh fati i saj ka qenë i varur nga vendimet e të tjerëve. Ama sot shumë gjëra kanë ndryshuar, dhe nuk mund të justifikohemi duke ua lënë fajin “të tjerëve” siç mund të ndodhë të ankohemi se prindërit nuk investuan për ne, se shteti nuk ofron shumë mundësi, se burrat nuk na lënë hapësirë, se kriza financiare nuk na lejon të realizojmë synimet në karrierë apo duke qenë nëna nuk mundemi të zhvillojmë potencialet tona në dimensione të tjera. Në këtë mënyrë ne e lejojmë ekuilibrin të prishet. Sepse në mënyrë që ekuilibri të ruhet duhet të investojmë në të katër dimensionet e jetës siç janë: 1) kujdesi që ne tregojmë për trupin, 2) karrierën, 3) marrëdhëniet sociale dhe 4) aspiratat për të ardhmen. Nëse ne neglizhojmë qoftë vetëm njërin nga këto dimensione atëherë ekuilibri nuk funksionon. Marrim psh një grua që është fokusuar vetëm tek karriera, dhe ka lënë mënjanë marrëdhëniet sociale, apo lidhjet me familjarët për shkak se gjithë koha e saj ka kaluar tek puna. Mund të ndodhë që për shkak të ngarkesës në punë të ketë neglizhuar edhe trupin/shëndetin e saj. Unë kam pasur raste të tilla në punën time si psikologe. Dhe kam parë gra që në një moment të caktuar të jetës së tyre kanë humbur gjithçka, kanë qenë të detyruara të braktisin punën për shkak të shëndetit dhe nuk kanë pasur dikë që të jetë pranë tyre sepse nuk kishin investuar në këtë dimension të rëndësishëm të jetës. Apo mund të jetë një rast tjetër i një gruaje që ka hequr dorë nga karriera/puna, investimi për veten dhe është fokusuar vetëm të familja/ bashkëshorti dhe fëmijët. Një ditë të bukur divorcohet dhe çfarë i mbetet? Dimensioni i punës dhe marrëdhënieve sociale ishte totalishit i pazhvilluar dhe si rrjedhim aspirata për të ardhmen nuk ka të ndezur asnjë dritë jeshile. Në këtë rast ekuilibri është totalisht i shkatërruar. Por si mund të ndërtohet? Duhet filluar investimin në të katër këto aspekte.

Cilat mendoni se kanë qenë arritjet më të mëdha gjatë këtyre viteve ?

Për mua është arritje kur shoh se çdo ditë që vjen është më e mirë se e djeshmja. Çdo ditë e re sjell zhvillim, ritëm dhe cilësi në jetën time. Unë jam natyrë që i pëlqej shumë ndryshimet dhe duke ndryshuar ndiej se zhvillohen shumë dimensione të jetës time personale dhe profesionale. Duke ndryshuar i jap vetes mundësinë të zbulojë territore dhe potenciale të reja të paeksploruara më parë. Kështu më lindin shumë pyetje, përgjigjet e të cilave përpiqem t’i gjej me patjetër, dhe duke gjetur përgjigjet shoh se si shumë gjëra janë arritur krejt pa kuptuar. Çdo lëvizje që kam bërë në jetë unë e quaj arritje, pavarësisht sakrificave apo vështirësive që mund të kem ndeshur. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndiej se vërtetë kam arritur sepse jam në gjendje të shoh ndryshimin “sot jam më mirë se dje”. E kur e sotmja është më e mirë se e djeshmja nuk mendon më se nga je nisur por ku do të shkosh. Nisja ime ka startuar nga një fshat i largët i Pukës, më pas ka kaluar në qytet (me ngritje apo jo?). Pastaj ka devijuar duke filluar karrierën si mësuese fshati, pastaj një universitet në Shkodër, më vone me një aventurë për të nisur një jetë të re në Tiranë, në ndjekje të saj një ambicie për t’u specializuar në kurse profesionale në disa vende të botës. E më vonë një Master në Sheffield. Për të vazhduar me etjen e madhe të studimeve që më çuan në Gjermani në ndjekje të Psikoterapisë Pozitive e sigurisht që shtigjet më ndalën më vonë në Terapinë e Familjes duke i sjellë jetës time shumë intensitet dhe axhendë që ndryshonte çdo ditë. E në gjithë këtë intensitet asnjëherë nuk lashë pas dore pasionin për të shkruar, sepse ky proces më shumë se asgjë tjetër më ndihmonte për t’i dhënë jetës kuptimin më të lartë. Mbas gjithë këtyre rrugëtimeve një ditë të bukur u zgjova me një ide në mendje: Dua të ndryshoj. Dhe këtë herë doja një ndryshim 360 gradë. Brenda një jave mora vendimin të bëja realitet mendimet që më zienin në kokë. Krijova të gjitha “daljet” nga gjendja ku isha për të hapur “nisjet” e reja. Shita revistën, dhashë dorëheqjen si drejtuese e rrjetit te grave “Barazi në Vendimmarrje”, dhashë dorëheqjen si Drejtore e qendrës së “Psikoterapisë Pozitive”. Mbylla të gjitha kontratat si lektore e psikologjisë që kisha me disa universitete dhe fillova nga puna për të nisur një jetë të re, në një vend të ri. Sot jam në Londër, ndjek studimet e PhD në Psikologji, drejtoj gazetën “Albanian Woman” dhe ndihem plot energji për të vazhduar. Anglezët kanë një shprehje që mua më pëlqen shumë “You never know what is around the corner”. Unë nuk dua ta ti çfarë është “around the corner”. Pikërisht sepse fillova të shoh se çfarë do të sjellë e nesërmja e devijova rrugën për të nisur diçka të re që nuk e di se çfarë do të jetë. Për mua kjo është arritje, të ndiej çdo ditë dëshirën për të jetuar sepse gjëra të reja më presin.

Cilat janë projektet që keni për të ardhmen ?

Mua më pëlqen shumë të bëj plane. Siç thotë një shprehje “Nëse do që Zoti të të dojë, bëj sa më shumë plane”. Me sa duket prandaj më ka dashur Zoti sepse gjithnjë më kë gjetur me plane, dhe madje me shumë të tilla rezervë. Sidoqoftë i jap shumë rëndësi edhe të tashmes, të bëj diçka të mirë sot, që e nesërmja të më falënderojë. Aktualisht kam shumë projekte, sepse sapo kam nisur një jetë të re, në një vend të ri dhe çdo ditë më sjell plane që nisin “Këtu dhe tani” me dëshirën për të jetuar të tashmen por që fundi nuk u dihet sepse një rrugë e gjatë nis me një hap. Dhe unë gjithnjë jam gati për të nisur, dhe kam vullnetin e mjaftueshëm për të mos u kthyer asnjëherë pas. Plani im është të mbaroj studimet PhD dhe të fokusohem tek librat. T’i kthehem dashurisë time të parë - “të shkruarit”. Libri im i fundit “Mos e lër mendjen të ikë” po përkthehet në Amerikë dhe shpresoj shumë që të gjej treg në vendet anglishtfolëse.

Ju keni shkruar mbi dhjetë libra. Cila është e përbashkëta e tyre ?

Po, siç e thashë të shkruarit ka qenë një dritare që i ka dhënë shumë kuptim dhe dritë jetës time dhe në shumë faza të saj ka marrë prioritet. Nga libri në libër shoh ndryshimet që kanë ndodhur realisht edhe në botën time. Të përbashkët kanë ndjesitë dhe stilin që në thelb mbeten të njëjta, ama këndvështrimi dhe mënyra e përcjelljes ka shumë ndryshim. Nëse në librat e mi të parë dominojnë mendimet abstrakte të cilat as vetë më nuk i kuptoj kur i lexoj pas disa vitesh, në librat e fundit gjej më shumë qartësi, vetëbesim, siguri në atë që dua të them. Me pak fjalë duket sikur në fillim shkruaja vetëm për vete, apo për njerëz që janë si unë, ndërsa tani përpiqem të shkruaj për të gjithë.

Çfarë duan lexuesit tuaj ? Çfarë kërkojnë ata nga revista që ju drejtoni aktualisht ?

Ajo çfarë kam kuptuar gjithë këto vite eksperience duke drejtuar disa media të rëndësishme është se lexuesit duhet t’i japësh atë çfarë ai kërkon, dhe jo atë çfarë ti mendon se i duhet atij. Realisht me lexuesin jemi në një marrëdhënie shërbimi me klientin. Nëse kërkesa është e lartë për një produkt të caktuar ti nuk mund ta injorosh këtë fakt duke ofruar diçka tjetër në vend të tij. Në fillim kam rënë shpesh në grackën e teorisë “lexuesi duhet edukuar”. Në fakt, me kalimin e viteve kam kuptuar se lexuesi është i zgjuar dhe ai e di vetë se çfarë i duhet, ndaj në vend që t’i diktojmë atij shijet është më mirë që t’i ofrojmë në menu duke iu përshtatur shijes së tij. Duke ndjekur këtë formulë jam munduar të bëj një “paketë speciale” dhe kam testuar gradualisht veten duke ndjekur kërkesat e jashtme. Në këtë mënyrë krijohet edhe një marrëdhënie besimi. “Albanian Woman” është një gazetë që nisi rrugën pikërisht nga nevoja e kësaj kërkese dhe çdo ditë do të ndryshojë në bazë të saj.

Cila është këshilla më e mirë që ju ka shërbyer gjatë këtyre dy viteve ?

Kanë qenë shumë gjëra që më kanë motivuar vazhdimisht në jetë. E para, unë jam gjithnjë e vëmendshme ndaj shenjave sado të vogla të jenë ato. I besoj intuitës dhe përpiqem ta ndjek atë duke u bazuar gjithashtu edhe në analiza racionale. Mësuesit më të mëdhenj në jetë për mua kanë qenë librat. Gjithë jetën kam qenë kureshtare për të mësuar nga më të diturit, dhe përmes librave kam “takuar” shumë njerëz të mençur prej të cilëve kam marrë leksione të mëdha jete, dhe sigurisht që kam nxjerrë mesazhet që më janë dashur për të vazhduar. Një nga mësuesit që kam takuar në jetën reale ka qenë edhe Hetem Ramadani. Ai më mësoi diçka shumë të rëndësishme, që sot është një nga prioritetet e mia në jetë, Meditimin. Ai më mësoi dhe më konfirmoi se duke i bërë pyetje vetes do të marr përgjigjet që më duhen për t’i dhënë kuptim asaj. Dhe në këtë të tashme, jam këtu ku jam sepse i dhashë përgjigje mesazhit “Nëse nuk të pëlqen vendi ku ti je ulur mund të lëvizesh sepse nuk je pemë”.

Ju flisni për gratë, flisni për psikologjinë, dhe psikoterapinë pozitive. Në cilin rol ndiheni më mirë, gazetares, psikologes, shkrimtares ?

Në këtë stad e ndiej se të tria këto role janë në harmoni njëra me tjetrën dhe aspak në kontradiktë. Dëshira ime për të shkruar më çoi në profesionin e gazetares. Më vonë, etja për të mësuar më shumë dhe për t’i kuptuar më mirë fenomenet apo personazhet për të cilët shkruaja më çoi tek psikologjia. Tani, një gërshetim mes këtyre dimensioneve më jep më shumë siguri në gjërat që bëj. /ripublikim/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet