Modeli i ri i sipërmarrjes shqiptare. Nga burrat 40 vjeç me kravatë, tek zonjat e rafinuara

Nëse deri dje sipërmarrësi shqiptar ishte mashkulli rreth të 40tave me xhaketë e kravatë, sot është gruaja elegante, influente në shoqëri. Këto ndryshime na ndajnë përfundimisht nga e kaluar

HERMESNEWS - Valbona Begolli ka kaluar një pjesë të mirë të jetës jashtë vendit, në Selanik. Për këdo që kthehet në Shqipëri pas një periudhe kaq të gjatë, jetesa është nje imigrim i dyte. "Kam patur shume sfida me veten", thotë ajo në një bisedë që bëmë bashkë. Vitin e parë e kujton si më të vështirin, për të në një vend thuajse të huaj, Tiranë, por dhe për biznesin e saj, një kompani që sot është bërë nga më të njohurat në vend, Albpastrim. "Çuditesha me papunësinë në Shqipëri. Unë kërkoja njerëz për punë dhe nuk gjeja", thotë ajo. Përmend si vështirësi kryesore mungesën e kulturës së punës, por Valbona ka arritur të krijojë hapësirën e vet në atë që ka ëndërruar, një biznes të sajin. Sot është një menaxhere e suksesshme por kohën tjetër ua kushton dy fëmijëve dhe familjes. Valbona Begolli flet dhe për hapësirat e pakta që politika krijon për gratë biznesmene dhe përpiqet që me punën e saj të krijojë një ndyshim. Eshtë një ndryshim që kërkon ta shohë çdo qytetar që rrit fëmijët dhe ka një punë të ndershme me një karrierë përpara, por nëse figura e sipërmarrësit deri dje ka qenë ajo e një meso burri, sot është dhe një grua elegante influente në shoqëri.

Cili është ndryshimi që gjetët kur u kthyet në vend dhe si iu përshtatët realitetit të ri ?

Ndryshimi i cili kam parë kur u ktheva në Shqipëri ka qenë shumë i madh. Shqipëria është një vend në zhvillim e sipër i cili ka shumë mundësi për risi dhe inovacion. Shoh që të rinjtë kanë njohuri mbi teknologjinë dhe dëshirë për të avancuar në karrierën e tyre. Për mua përshtatja ka qenë pak e vështirë në lidhje me gjuhën shqipe në fillim dhe më pas kam pasur vështirësi në përshtatjen e mentalitetit dhe kulturës së punës që është krijuar në fushën e biznesit.

Si ka evoluar biznes juaj, në kontekstin burokratik, social, ligjor në Shqipëri ?

Jemi munduar të kemi një marëdhënie korrekte përsa i përket respektimit të taksave qofshin ato vendore dhe institucionale duke ndjekur me përpikmëri legjislacionin shqipëtar. Duke qënë se jam femër dhe e re në biznes duhet që shteti ndihmën e organeve përkatesë të na vijë në ndihmë duke na krijuar lehtësira për të pasur vazhdimësi dhe sukses të gjatë. Pasi unë aktualisht kam punësuar shumë gra në nevojë, të cilat hasin vështirësi punësimi si dhe probleme të rënda familjare, në këtë mënyrë nuk jam vetëm një punëdhënëse por dhe një mbështetëse për këto gra kryefamiljare. Shteti duhet të mbështese me grante të posaçme gratë sipërmarrëse, nëpërmjet sitemit të kreditimit. Iniciativa e lirë dhe mbështetja e saj do të sjellë shumë anë pozitive. Ai duhet të garantojë një direktivë për pushtetin në të gjitha nivelet për të përparësuar mbështetjen për të gjitha gratë.

Çfarë ndjeni kur ktheheni në Selanik ?

Ndjesia që kam kur shkoj në Selanik është mallëngjim për vitet e bukura që kam kaluar atje dhe më vinë në mendje kujtime të shumta. Selaniku është një qytet që ka ndikuar në formimin e personalitetin tim. Aty kam jetuar momente të veçanta dhe të paharruara të jetës. Eshtë një nga qytetet më të veçanta për mua.

Cili është suksesi i vërtetë i juaji ?

Fakti që kam arritur të ndërtoj një shërbim pastrimi i cili ka qenë jo fort i vlerësuar në tregun shqiptar dhe ja kemi dalë mbanë, falë përpjekjeve të shumta dhe risisë që na karakterizon si ekip i tëre duke filluar nga baza puntore deri lart. Kjo per mua eshte nje arritje e madhe qe sado pak jap edhe unë kontributin tim për të ndryshuar mentalitetin e shoqërisë shqiptare në lidhje me pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave te përbashkëta.

Cila është karakteristika më e mirë e personalitetit tuaj ?

Guximi, marrja mbi vete e përgjegjësive dhe mbi të gjitha vetëbesimi, sepse çelësi i vetëbesimit është përgatitja profesionale dhe dija.

Çfarë e bën sipas jush një femër, menaxhere të sukseshme ?

Kur ajo ecën me vendosmëri drejt ëndrrave të te saj, dhe lufton për të jetuar jetën që ka ëndërruar. Sekreti është që gjithmonë duhet shumë punë dhe pasion të mos e shikojë atë si punë të vështirë, por një hobi, pastaj mund të arrijë çdo gjë, kudo.

Cila është arma më e mirë ndaj një ambjenti maskilist ?

Në aspektin profesional nuk mendoj se është bota e meshkujve, suksesi i një individi nuk është i lidhur me gjeninë. Mendoj se femra duhet vetë të ketë inisiativën për të arritur sukses në karrierë. Nuk dua t'i gjeneralizoj gjërat pasi jo të gjitha femrat kane mundësitë e barabarta. Ato që kanë mundësi duhet të luftojnë vetë sikurse dhe meshkujt për të arritur sukses. Unë jam rritur në ambjent familjar me barazi gjinore dhe nuk ka dallime.

Cili është momenti më i mirë i ditës ?

Momenti më i mirë i ditës është kur dita mbyllet me sa më tepër kliente të kënaqur nga puna, pastaj kthehem në shtëpi dhe rri me dy fëmijët e mi.

Author
Doriana Metollari

Doriana Metollari, është gazetare dhe Editore e platformes informative online Hermesnews.al, themeluar në Itali në vitin 2006. Ka menaxhuar dhe disa gazeta të tjera online po në Itali, një prej tyre dhe në bashkëpunimin me kompaninë 'Edizioni Vivere' në Le Marche. Ajo ka drejtuar po ashtu projekte për Bashkimin Europian dhe për OKBnë në fushën e të drejtave, kulturës, teknologjisë dhe gazetarisë. Libri i saj i parë 'G-online' është një manual bazë për komunikimin online, gazetarinë dhe mediat sociale.

Shkruaj një koment

0 Komentet