Pse 'Shqipëria që ecën ?

Nga Doriana Metollari

Hermesnews - Tan boll më. Na janë mbushur veshët me politikanë të ngurtë që flasin pa asnjë përgjegjshmëri, biznese që nuk dinë se çfarë është taksa, tatimorë që i ndjekin nga larg me dylbi, dyer dyqanesh që mbyllen, kryetarë bashkish pa kokërr leku në buxhet që shtyjnë karrocën me vullnetarë, kriminelë që dalin përditë në ekrane, qytetarë që këpusin fijet e shpresës e largohen jashtë. Të gjitha këto u bënë shumë. Ne nuk kemi nevojë të na bindin se po kalojmë kohë të vështira e sidomos për ata që fryjnë barkun mbi shfrytëzimin e të tjerëve. Ku janë të tjerët ? Modelet e reja ? I kam parë të ecin brenda një turmë që shkon pa asnjë metë. Ata jo. Ulin shpejtësinë e makinës tek vijat e bardha dhe pse nxitojnë, pastrojnë tavolinat dhe dyshemetë e lokalit të vet, ngrenë biznese dhe fusin një filozofi të re në treg. Të rinj sipërmarrës, të lirë, të përgjegjshëm. Zyrtarë që vrapojnë të çojnë fëmijët në shkollë e në fund të ditës para se të shkojnë në shtëpi nuk harrojnë të ndalen në furrën e bukës poshtë pallatit.Emigrantët që kthehen. Të gjitha këto modele të reja, energjikë, me mentalitet të ri, janë ata që sjellin shkëndijën, që jetojnë, janë kudo, në zyra, biznese, rrugë, privatë. E gjitha kjo Shqipëri që ecën përditë më këmbë në tokë, është Shqipëria jonë. Mund vetëm të përmirësohet. Kjo është Shqipëria në të cilën duam të jetojmë, të studiojmë, të gabojmë, të ecim para, të kanalizojmë energjitë tona. E në këtë Shqipëri nuk kanë vend për ata që ndërtojnë mbi mediokritetin e njerëzve. Nuk do të lejojmë të nëpërkëmbet dinjiteti qytetar nga paaftësia, arroganca, shtypja dhe injoranca e liderëve. Këtu nuk kanë vend ata që duan të adhurohen pa asnjë vlerë. Këtu ka vend për vlera që meritojnë të adhurohen. Ja pse startojmë me rubrikën "Shqipëria që ecën". Na sugjeroni histori, persona, jetë që kanë ndërtuar, ndërtojnë dhe jetojnë më një model qytetarie europiane që Shqipëria e ka brenda saj.

Author
Doriana Metollari

Doriana Metollari, është gazetare dhe Editore e platformes informative online Hermesnews.al, themeluar në Itali në vitin 2006. Ka menaxhuar dhe disa gazeta të tjera online po në Itali, një prej tyre dhe në bashkëpunimin me kompaninë 'Edizioni Vivere' në Le Marche. Ajo ka drejtuar po ashtu projekte për Bashkimin Europian dhe për OKBnë në fushën e të drejtave, kulturës, teknologjisë dhe gazetarisë. Libri i saj i parë 'G-online' është një manual bazë për komunikimin online, gazetarinë dhe mediat sociale.

Shkruaj një koment

0 Komentet