Pse shqiptarët kanë më shumë sukses jashtë ?

nga Alfred Milot Mirashi

HERMESNEWS - Violonçelisti Bledar Zajmi, ka lindur në Tiranë, më 1973. Sot është spalë - koncertmaester në Orkestrën e Teatrit Kombëtar të Pragës, në Republikën Ceke. Mësimet e para në violonçel, i mori në moshën 6 vjeçare. Në moshën 10 vjeçare bëri prezantimin e tij të parë në publik dhe Tvsh. Po në këtë periudhë u nderua me disa çmime në konkurse kombëtare të talenteve të reja.

Në Liceun artistik aktivizohet si violonçelist i parë në Orkestrën Virtuozët e rinj me dirigjent Zhani Ciko, duke dhënë koncerte në Shqipëri, regjistrime për RTSH dhe koncerte jashtë vendit. Moment i rëndësishëm në karrierën e tij është viti 1997, ku ftohet në turne për koncerte recitale në Japoni (Osaka, Hiroshima, Fukuoka), që më pas vazhdojnë me përformanca mjaft të suksesshme dhe në Itali, Gjermani, Austri, Spanje, Kroaci, ku merr vlerësimet me të larta nga shtypi dhe kritikat artistike të këtyre vendeve. Në vitin 1999, nderohet me çmimin e dytë dhe me çmimin special të juries në konkursin nderkombetar "Palma d'Oro" në Finale Ligure, Itali dhe në vitin 2004, me medaljen e argjendë në Konkursin ndërkombëtar "Premio Rovere d Oro", në San Bartolemeo al Mare, Itali.

Ka një karrierë artistike në 3 kontinente, në mbi 30 vende të botës, me mbi 15 CD solo dhe muzikë dhome, me një repertor të gjerë artistik që nga muzika e stilit barok deri tek ajo kontemporane.

Në vitin 2003 luan si solist me Orkestrën e filarmonisë së moravisë, veprën e kompozitorit Andrew Lloyd Webber "Variation", premierë unikale në Republiken Ceke. Si rezultat i interpretimeve dhe virtuozitetit të lojës së tij, është renditur dhe cilësuar ndër violoncelistët më të mirë, duke u përfshirë në fjalorin muzikor të personaliteteve dhe institucioneve muzikore me të rëndësishme të Republikes Ceke.

Më pas ftohet si solist dhe koncertmaester, i Orkestrës "Virtuosi di Praga", me të cilën realizon turne në Europë dhe Kore të Jugut. Në muzikën kamerale, si violoncelist i formacionit "Ensemble Martinu", përveç repertorit botëror, interpreton dhe promovon vepra të kompozitorëve konteporan çek në koncerte, Compact-Disqe, festivale dhe në turne të ndryshme.

Gjithashtu prezantohet si solist me Orkestrën “Orkestren Berg", "Filarmoninë e Moravise Olomouc", "Filharmonie Brno", "Barocco sempre giovane" dhe ftohet për bashkëpunim nga orkestra europiane në projekte të ndryshme artistike. Aktivitetin e tij e shtrin më tej, me koncerte në Europë, Kore te Jugut, Kinë, Brazil, Izrael dhe prezantohet në festivale ndërkombëtare të muzikës, si "Czech Chamber music society - Czech filharmonic", Festivali "Prazske jaro" (Pranvera e Prages), "Jeruzalem Concert society", Festival "Pontes", "Dvorak Festival", "Dubrovnik Festival", “Budapest spring festival“ “Izmir – Opera concert season“ etj.

Bledar Zajmi, është promovues i muzikës klasike shqiptare në botë dhe sidomos i muzikes konteporane. Pjesë e këtij promovimi është CD "Memories" - Albanian music for cello dhe projektet e ardhshme të bashkëpunimit me artistë dhe kompozitorë shqiptarë.

Merr pjesë aktive në konferenca ndërkombëtare, ku temë është promovimi i kulturës dhe artit shqiptar. Momentalisht, vazhdon punën për përfundimin e Doktoraturës pranë Akademisë Janáček, në Brno, në Republikën Ceke. Bledar Zajmi luan një instrument francez nga "Mirecourt".

Intervista: Lindur në Shqipëri, çfarë kujtimesh të bukura mbani në vetvete ?

Kujtimet, sidomos ato të fëmijërisë dhe adoleshencës janë ato që mbesin më gjatë në jetë. Kam kaluar momente të paharrueshme me miqtë e mi të fëmijërisë në qytetin tim të lindjes në Tiranë, duke filluar që nga loja me top, garat me karroca me guzhineta, zënkat, të qeshurat dhe deri tek emocionet në koncerte dhe gara të ndryshme artistike si në Shqipëri dhe jashtë shtetit…

Pse shqipëtarët kanë më shumë sukses jashtë atdheut të tyre ?

Ndoshta sepse janë më të pavarur nga ana krijuese dhe intelektuale dhe jo pjesë e një ambienti të mbingarkuar me komplekse.

Fati për ju është i shkruar ?

Fati është një shoqërues i padukshëm në rrjedhën e jetës së njeriut. Të gjithë kemi nevojë për të. Ai nuk blihet, nuk fitohet … por ai mund të influencohet dhe të jëtë një Fat i mirë për çdo njërin prej nesh vetëm me punë dhe me dëshirën për sukses.

Më mirë të mendosh për dita-ditës apo për të ardhëm ?

Më bukur do të ishte të mendosh dita - ditës për të ardhmen…

Sikur të ishe kryeministër çfarë do të bëjë për shqipëtarët ?

Pavarësisht dëshirës të mirë për të thënë që do të bëja shumë gjëra të bukura, besoj që për këtë nuk ekziston një përgjigje formule. Më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë për krijimin e hapësirave dhe investime në shkollim dhe punësim, eksperience profesionale të ndershme dhe edukatë qytetare si bazë për zhvillimin e shoqërisë dhe e gjeneratave të ardhshme.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet