Sfida e projekteve, të ngremë kapacitetet profesionale

Intervistë në eksluzive për HERMESNEWS e Ministres së Integrimit Europian Klajda Gjosha. Risitë për projektet. Ja si do të shpenzohen paratë e europianëve. Instrumenti i ri financiar për asistencën e

HERMESNEWS - Pas marrjes së statusit, sa mendoni se do të jetë sfidë për shqipërinë rritja e kapaciteteve profesionale në kriteret për marrjen e projekteve europiane ?

Ju falenderoj për këtë pyetje. Besoj se pikërisht rritja e kapaciteteve profesionale në përthithjen e sa më shumë fondeve sa më shumë projekteve nga Bashkimi Europian mbetet një nga sfidat tona më të mëdha, ashtu sikurse për të gjitha vendet aspirante. Ne duhet të ngremë kapacitetet e nevojshme në nivel qendror dhe lokal në mënyrë që të ketë ndërveprim me partnerët tanë evropiane. Qeveria shqiptare tashmë ka një qasje të re, duke e konsideruar impaktin e projekteve europiane jo thjesht për periudhën në të cilën ato shtrihen, por duke i parë si një vlerë e shtuar që do të vijojë të ketë efekte pozitive në fushën ku zbatohet edhe pas përfundimit të projektit. Vazhdimisht në takimet me partnerët tanë kam kërkuar asistencë për ngritjen e kapaciteteve dhe mund t'ju them që pjesa më e madhe e tyre janë ofruar të na japin ndihmesën dhe gjithë eksperiencën e tyre për këtë pjesë.

...dhe pjesa më e vështirë me projektet europiane ka të bëjë me raportet që bëhen në faza të ndryshme të projekteve dhe transparenca në shpenzime. Çfarë strategjie keni për këtë ? Si mendoni të rrisni besimin e BEsë në këtë pjesë të logjistikës së projekteve europiane ?

Vetëm pak muaj më parë për herë të parë, ne nënshkruam një marrëveshje me Bashkimin Europian, ku për herë të parë i lejohet Shqipërisë të menaxhojë vetë fondet e akorduara nga BE. Ky është treguesi më i mirë i besimit ndaj qeverisë shqiptare e cila gjithashtu është e angazhuar që cdo qindarkë që i jepet vendit tonë nga qytetarët europianë të ketë destinacionin e duhur. Për herë të parë, në bashkëpunim me Komisionin është mundësuar hartimi i projekteve duke u bazuar në konceptin e përqasjes së gjerë sektoriale. Gjithashtu Shqipëria dhe vendet e tjera përfituese të rajonit po punojnë për hartimin e dokumenteve të tjera strategjike dhe teknike me qëllim adresimin sa më të mirë të fondeve të Instrumentit të ri Financiar për Asistencën e Para-aderimit (IPA II) në kuadrin e perspektivës së re financiare 2014-2020.

Sa hapësirë financuese nga fondet europiane do të kenë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, entet publike dhe shoqatat e vullnetariatit ?

Hapësira për sa ju sipërpërmendët, do të jetë në vartësi të nevojave që ka vendi, përputhjes me strategjitë dhe prioritetet që janë vendosur sipas qasjes sektoriale të vendosur në bashkëpunim me partnerët tanë europianë.

A do të ketë përparësi për shpërndarjen e fondeve ? Cilat fusha kanë më tepër prioritet ?

Fondet e parashikuara për financim nga IPA 2014 për herë të parë do të alokohen në dy forma: mbështetje për sektorë ku nevojat për ndërhyrjet aktualisht konsiderohen si tepër emergjente, si p.sh. e drejta e pronësisë, integrimi i romëve dhe shoqëria civile dhe mbështetje buxhetore (bugdet support) për menaxhimin e financave publike. Deri tani financimi i projekteve IPA është bërë pa pasur prioritete. Ne siç e thashë, kemi një qasje krejt të re. Kemi sektorë prioritare dhe mund t’ju them se ka marrë njëherë e përgjithmonë fund koha kur projektet hartoheshin në momentet e fundit. Fokusi në programimin e projekteve do të bëhet me bazë sektoriale duke marrë parasysh zbatimin e prioriteteve dhe strategjive afat-mesme dhe afat-gjata dhe sigurimin e buxhetit përkatës. Fusha e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme, mjedisi dhe ndryshimet klimatike janë nga sektorët pilot të përzgjedhur.

BE, po kalon një periudhë që është mjaft e vështirë përsa i përket ndihmave financiare. Sa parashikohet të lëvizin fondet për Shqipërinë pas marrjes së statusit ?

E kam deklaruar dhe më herët, që marrja e statusit nuk ka lidhje me lëvizje apo rritje të fondeve të BE-së. Shqipëria nuk ka përfitim të drejtpërdrejtë ekonomik nga marrja e statusit, por do të përfitojë në mënyrë indirekte pasi tashmë shihet si një vend i besueshëm për investitorët e huaj, çka përkthehet në më shumë vende pune e më shumë zhvillim për vendin,

Nga marrja e statusit deri në aderim Shqipërisë, mendoni se do të duhen më pak apo më shumë se 10 vite ? Cilat janë pritshmëritv që ka Shqipëria në lidhje me këtë ? Po parashikimet e BEsë cilat janë ? Synimi juaj është të aderoni gjatë këtij mandati ?

Ne jemi të vendosur të mos ndalim reformat, të mos ulim ritmin. Sigurisht ambicja jonë e rradhës është hapja e negociatave, por nuk mund të vendosim afate apo limite kohore kur do të ndodhë kjo. Gjithçka varet nga mënyra dhe shpejtësia me të cilat ne do të zbatojmë reformat për të transformuar vendin.

Cila prej ministrive do të ketë punën me voluminoze përsa i përket reformave në aderimin e vendit ?

Nuk ka ministri që do të ketë më pak punë, apo ministri që do të ketë volum të shtuar pune. Megjithatë ne kemi pesë prioritete kyçe të cilat duhet të përmbushen deri në hapjen e negociatave si fillim. Ministritë e linjës që mbulojnë këto prioritete, Ministria e Integrimit Europian që koordinon proçesin do të kenë punë intensive. Në vijim, kur të negociohet kapitull pas kapitulli me BEnë, ministritë dhe gjithë institucionet e tjera të vartësisë do të jenë pjesë e këtij proçesi i cili për hir të së vërtetës kërkon angazhim, përkushtim dhe shumë punë.

Çfarë do t’i thonit skeptikeve europianë që pretendojnë reformat në drejtësi nga ana e Shqipërisë ?

Reforma në drejtësi do të çohet deri në fund, jo për skeptikët europianë por për qytetarët shqiptarë të cilët meritojnë t'u rikthet besimi tek institucionet e drejtësisë. Po punohet ngushte me Komsionin e Venecias në këtë drejtim. Do të kemi shumë shpejt draftin e parë të kësaj reforme që do të jetë e vështirë, por e realizueshme.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet