Të rinjtë çelin kinemanë në Lezhë

Kinema Post-Drin hap dyert me ''Dritat e qytetit'' të Charlie Chaplin

LEZHE - Adhuruesit e filmave do të kenë hapësirën e tyre. Ka ndodhur në qytetin e Lezhës ku pas 25 viteve rikthehet kinemaja. Ideja e saj lindi rreth një vit më parë kur një grup të rinjsh nga organizata Vizioni Rinor, pjesë e organizatës ndërkombëtare World Vision, kreu një pyetësor me 500 moshatarë dhe banorë të tjerë të Lezhës. 80% e tyre thanë se donin të kishin një kinema. Pas kësaj, të rinjtë i parashtruan idenë bashkisë dhe në Janar 2015 mes kësaj të fundit dhe World Vision u nënshkrua marrëveshja. Drejtoresha e Pallatit të Kulturës, Albana Përvathaj tha se: “Është bukur të kesh ide dhe është e mrekullueshme kur ato realizohen. Hapja e një kinemaje në Lezhë, sado e thjeshtë në kushte dhe paraqitje, mbetet për ne një tjetër simbol krenarie. Ajo na mëson të mos dorëzohemi asnjëherë, pasi kur troket në dyert dhe zemrat e duhura, ato nuk mbyllen. Faleminderit të gjithëve që na jepni kurajo për të shpresuar në një të ardhme më të mirë për Lezhën dhe banorët e saj”. Kinemaja mban emrin “Post-Drin” dhe filmi i parë i shfaqur në të, simbolikisht ishte “Dritat e qytetit”, nga Charlie Chaplin. Post-Drin do të jetë kinema jokomerciale. Biletat do të kushtojnë nga 50-100 lekë të reja dhe në të nuk do të shfaqen filmat më të fundit të kinematografisë ndërkombëtare, por do të promovohen vlerat ndër vite të kinemasë shqiptare dhe asaj të huaj. Kinemaja do të shërbejë si një qendër ku artistët e Lezhës dhe dashamirësit e ekranit të madh të mund të mblidhen, të eksperimentojnë dhe të promovojnë krijimet e tyre.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet