Cana dhe Duka: Në Armeni me një objektiv të vetëm, fitoren

Lorik Cana nuk di të bëjë hapa pas. Kapiteni i Kombëtares Shqiptare flet nga Armenia ku skuadra kuqezi do të kërkojë të shkruajë historinë por fillimisht ai ndalet te ajo humbje kundër Serbisë q&

Hermesnews - Lorik Cana nuk di të bëjë hapa pas. Kapiteni i Kombëtares Shqiptare flet nga Armenia ku skuadra kuqezi do të kërkojë të shkruajë historinë por fillimisht ai ndalet te ajo humbje kundër Serbisë që në këndvështrimin e numrit 5 mund të ishte evituar nëse skuadra do të kërkonte të ruante barazimin.

“Humbëm një ndeshje që tentuam ta fitonim. Ne momentet e fundit ekipi nuk u kënaq me barazimin dhe dëshironte të siguronte kualifikimin që në sfidën me Serbinë. Rrezikuam më shumë se sa duhet dhe pësuam gol. Nuk bëmë llogari edhe pse Danimarka mund të kishte barazuar në fund dhe ne sërish do të ishim detyruar të vinim në Armeni për të fituar. Ajo ndeshje nuk e zbeh dëshirën tonë për të kërkuar kualifikimin madje, e bën edhe më të fortë ekipin për të arritur një rezultat historik për vendin tonë”.

Tre ditë më pas një tjetër finale për Shqipërinë, por Cana nuk i trembet lodhjes fizike dhe asaj mendore.

“Në aspektin fizik nuk është e lehtë sepse luhet pas tre ditëve por është e njëjta gjë edhe për Armenët por kemi bërë regimin e duhur. Nga aspekti mendor nuk ka asnjë problem. Kemi pasur mbështetjen e shumë njerëzve dhe sigurisht duke qenë kaq afër një ëndrre jemi shumë të karikuar dhe me shumë dëshirë për t’ia dalë”.

Për kapitenin, mungesat e Agollit dhe Mavrajt janë të rëndësishme, por ai shton se kjo skuadër luan si një grup i bashkuar dhe zgjedhjet që do të bëjë trajneri do të jenë në lartësinë e duhur. Më tej ai përqëndrohet te sfida e Jerevanit.

“Kam shumë besim duke parë edhe nivelin e lojës që po tregojmë madje treguam edhe ndaj Serbisë. Nëse nuk do të kishim luajtur me aq energji dhe dëshirë mund ta kishim mbyllur ndeshjen pa gola. Por ajo ndeshje na dha një mësim dhe nga aspekti i cilësisë jam i bindur se i kemi cilësitë edhe pse nuk do të jetë e lehtë sepse këtë na i kanë treguar ndeshjet e kundërshtarëve të grupit këtu në Armeni. Kjo ndeshje do të jetë e vështirë, por nëse vazhdojmë në rrugën e nisur do të dalim në fushë për ta fituar”.

Ndërkohë, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka kërkon nga skuadra që të japë maksimumin për të kurorëzuar me sukses këtë rrugëtim të gjatë.

“Duhet të bëjmë maksimumin dhe të provojmë gjithçka për ta mbyllur me sukses në Armeni këtë histori”.

Në këndvështrimin e kreut të federatës, skuadra mund të funksionojë shumë mirë edhe më një sulmues por ai thekson se është trajneri që do të marrë një vendim për formacionin që do të hedhë në fushë. Në lidhje me zhgënjimin që ka shkaktuar humbja e fundit, ai shton:

“Nuk duhet t’i përjetojmë shumë humbjet e fundit, si me Portugalinë edhe me Serbinë sepse tani duhet të mendojmë vetëm për Armeninë”.

Për Dukën, në këtë situatë premtimi i një premioje do të ishte i pavend sepse skuadra nuk ka nevojë për një motivim të tillë, ndërsa shton se rëndësia e kësaj sfide po e rikthen entuziazmin në grup.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet