FIFA emëron për herë të parë si Sekretare të Përgjithshme një femër

Kongresi i FIFA ka shënuar një risi gjatë punimeve të mëngjesit të sotëm, teksa ka zgjedhur të parën Sekretare të Përgjithshme femër në historinë e organizmit më të lartë drejtues të futbollit botëror. Senegalezja Fatma Samba Diouf Samoura do të pasojë në këtë post ish sekretarin Jerome Valcke, i cili u pezullua nga të gjitha aktivitetet e futbollit për 12 vite, pas skandalit të korrupsionit që goditi FIFAn muajt e fundit, si pasojë e të cilit dha dorëheqjen edhe kreu i saj Sepp Blatter.

Samoura, 54 vjeçare, ka punuar për rreth 21 vite në Kombet e Bashkuara, ndërsa do të nisë zyrtarisht punën në organizmin qeverisës të futbollit botëror në muajin qershor. “Është diçka thelbësore, që FIFA të përfshirë perspektiva të reja në radhët e saj, pasi po përpiqemi të rikthejmë besimin dhe të rindërtojmë organizatën tonë”, tha presidenti aktual i FIFAs, Gianni Infantino.

“Kjo e sotmja është një ditë e mrekullueshme për mua, jam tepër e nderuar të marr përgjegjësinë e këtij roli. Ky rol përshtatet më së miri ndaj aftësive dhe eksperiencave të mia, ku spikasin ndërtimi i grupeve me impakt të lartë dhe në parametra ndërkombëtare, të cilat do t’i përdor për të ndihmuar në rritjen e lojës së futbollit në të gjithë botën”, u shpreh sekretarja e parë femër e FIFas.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet