Fino nuk pranon rezultatin, “Beteja vazhdon në gjykatë”

Tashmë është konfirmuar zyrtarisht se presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit do të jetë sërish Armando Duka. Rivali i tij Bashkim Fino i cili në raundin e dytë mori 24 vota përkundrejt 38 votave të Dukës, deklaron se nuk e pranon këtë rezultat. Fino tha se kjo beteje do të vazhdojë, por tanimë në dyert e gjykatave. Sipas tij gara do të ishte e ndershme nëse nuk do të votonin 12 shoqatat sportive si edhe disa klube të cilat i etiketoi të përfshira në mënyrë të jashtëligjshme në zgjedhje.

“Nuk jam i zhgënjyer. Unë e prisja diçka të tillë. Procesi qe i parregullt në listat e delegatëve. Po të shikoni diferencën janë ato që i kemi thënë gjatë gjithë këtij muaji. Ne do të vazhdojmë procesin tonë gjyqësor. Vendosja e disa ekipeve që nuk janë pjesë e futbollit, dhe vendosja e delegatëve. Kam përshtypje që diferenca e pasqyroi këtë gjë. Po të mos ishin 12 shoqatat dhe këto 5-6 klube që janë vendosur në mënyrë ilegale do të ishte garë më e ndershme. Ju e patë që komisioni i verifikimit lexoi një raport që e kishte bërë gati FSHF. Do ishte më e ndershme të kishte juristë të pavarur”, u shpreh Fino. Më pas ai theksoi se procesi do të vijojë dhe do ta çojë deri në fund çështjen për të mirën e futbollit.

“Ne do e çojmë në fund çështjen, për të mirën e futbollit. Ne do të respektojmë, gjykatat shqiptare, më pas do të shkojmë jo vetëm në KAS por edhe në FIFA. Në momentin që ne kundërshtuam 12 shoqatat, unë kam të drejtë të vazhdoj procesin ligjor. Unë i urova sukses Dukës. Unë i kam thënë dhe i kam dërguar UEFA-s gjithë dokumentacionin e shoqatave. Futbolli nuk fiton apo humbet me një njeri në krye”, theksoi më tej Fino. Shumë prej dashamirësve të futbollit janë dakort me Finon, duke i dhënë atij të drejtë për akuzën, por nga ana tjetër janë edhe mjaft kritikë që dyshojnë se mund të ketë një ndryshim të rezultatit. Ka disa shkallë gjykimi, ku fillimisht janë gjykatat shqiptare, por Fino ka paralajmëruar se, nëse gjykatat tona nuk i japin të drejtë, ai do t’i drejtohet FIFA-s dhe më pas Gjykatës Sportive në Lozanë (CAS), i bindur se ka të drejtë dhe mund të rikthejë procesin nga fillimi.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet