Kapiteni Cana: Gabuam që nuk mbrojtëm rezultatin

Kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana e pranoi se skuadra nuk kishte freskinë e duhur fizike dhe grupi duhej të ishte treguar i zgjuar për të mbrojtur pikën

Hermesnews - Kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana e pranoi se skuadra nuk kishte freskinë e duhur fizike dhe grupi duhej të ishte treguar i zgjuar për të mbrojtur pikën. Sipas mbrojtësit të kombëtares, Shqipëria nuk i respektoi detyrat e caktuara nga trajneri De Biasi.

Lorik Cana…“Jemi munduar që të mos pësonim gol por nuk i zbatuam detyrat që na dha trajneri për të mbrojtur rezultatin. Ekipi tregoi lojë dhe dëshirë për të fituar lojën dhe kjo na penalizoi shumë”.

Në vijim të intervistës dhënë për Supersport, Cana mori përsipër përgjegjësinë për mostransmetimin e mesazhit të trajnerit ndaj lojtarëve në fundin e ndeshjes.

Lorik Cana…”E dinim që Portugalia po fitonte dhe trajneri na kërkoi që të rrinim në pozicionet tona dhe unë ua thashë lojtarëve këtë. Ndoshta është përgjegjësia ime që nuk më dëgjuan sepse duhej të isha më këmbëngulës. Ekipi ka treguar pjekuri dhe kishim dëshirë për të fituar. Duhet t’i përmirësojmë gabimet. Ëndrrën e kemi shumë afër, të shkojmë ta kapim”.

I zhgënjyer u shfaq edhe mbrojtësi, Elseid Hysaj, i cili theksoi se ekipi ishte vendosur gabim në rastin e golit të parë.

Elseid Hysaj: “Në rastin e golit ishim të gjithë përpara në vend që të rrinim në pozicionet tona. Ky është problejmi jonë si komb pasi jemi shumë euforikë dhe ndikohemi shumë nga tifozët por duhet të mësojmë nga këto gabime dhe të mos i përsërisim më”.

Por a ka forcë Kombëtarja të hedhë pas krahëve atë që ndodhi në “Elbasan Arena”?

Elseid Hysaj…”Cilësia më e mirë e jona është që kemi zemrën e madhe që ta marrim këtë mundësi të artë dhe të shkojmë atje dhe të ralizojmë ëndrrën. Jemi aq të zgjuar sa të shkojmë atje dhe të mos e humbasim këtë rast”.

Sokol Cikalleshi u shfaq i bindur për të siguruar kualifikimin në Jerevan.

“Shpresoj ta çoj unë Shqipërinë në europian. Na vjen keq pasi shqiptarët janë të zhgënjyer nga rezultati, por besoj nuk janë të zhgënjyer nga loja në futboll. U bëj thirrje gjithë tifozëve sepse duam më shumë se kurrë mbështetjen e tyre për të arritur kualifikimin”.

Ndërsa Andi Lila edhe pse u shfaq shumë i zhgënjyer, u shpreh i bindur se Shqipëria do të triumfojë në Armeni.

“Unë nuk e diskutoj që do të shkojmë në Europian. Nuk di çfarë te them, do të tentojmë që të kualifikohemi në Armeni edhe pse dëshiroja të kualifikoheshim që në Elbasan”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet