Klubet e Superiores dhe Duka kërcënojnë nga Bjellorusia: 'Nuk luajmë, do protestojmë në Bulevardet e Shqipërisë'

Kategoria Superiore nuk do të nisë në 12 shtator sikurse ishte planifikuar në kalendar. Kjo për shkak të protestes së shumicës së klubeve të Superiores kundër qeverisë, e cila sipas tyre duhet ti plotësojë katër kushte.

Paradoksalisht takimi I Ligës së Klubeve Shqiptare të Superiores u zhvillua paraditen e kësaj të premteje në Minsk të Bjellorusisë atje ku kreu i federatës Duka ka marrë me vete Presidentet e ekipeve së bashku me Komitetin Ekzekutiv për të ndjekur ndeshjen e kombëtares.

Në njoftimin për mediat, thuhet se në këtë mbledhje morën pjesë 9 nga 10 klube gjithsej e pas një diskutimi të kujdesshëm dhe serioz, presidentët e klubeve vendosëm me unanimitet të plotë të bojkotojnë kampionatin nëse nuk plotësohen nga ana e qeverisë kushtet e mëposhtme:

a. Të ulet TVSH në masën 6%.

b.Të falen gjobat dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura.

c. Efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite.

d. Te miratohet Ligji i vërtetë i Sponsorizimeve, në vend të mashtrimit të qeverisë, që sot propagandohet si Ligj Sponsorizimi për Sportin.

Liga shton se katër kërkesat janë një pjesë shumë e vogël e premtimeve gënjeshtare të kahershme e të përsëritura të qeverisë. Klubet bashkë me federaten deklarojnë se nuk do të tërhiqen nga bojkoti, duke kërcënuar se do të protestojnë në bulevardet e Shqipërisë derisa tiu plotësohen kërkesat, duke e konsideruar qeverinë si përgjegjëse për gjëndjen katastrofike të klubeve shqiptare.

"Ne nuk do tërhiqemi nga bojkoti ynë i kampionatit sa kohë nuk do dëgjohemi. Në datën 12 shtator kampionati ynë i Kategorisë Superiore nuk do të luhet. Ne do të protestojmë me qytetari e vendosmëri në bulevardet e Shqipërisë dhe nuk do të kthehemi më në fushat e blerta të stadiumeve, pa u përmbushur të katër kërkesat tona. Ne do të bëjmë të njohur për opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar gjendjen katastrofike të klubeve shqiptare për shkak të politikave të gabuara e të papërgjegjëshme të shtetit dhe qeverisë shqiptare".

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet