Kukësi humbet 3-0 ndaj Legias

70 mijë euro gjobë dhe dy ndeshje pa tifozë

TIRANË - Qeveria Europiane e Futbollit, UEFA i ka dhënë një shuplakë Kukësit lidhur me incidentet e ndodhura një javë më parë në “Qemal Stafa”, gjatë takimit të vlefshëm për turin e tretë eliminatorë të Europa Ligë, ku përballë ishte Legia e Varshavës.

Sipas vendimit të UEFA-s, Kukësi humb ndeshjen në tavolinë me rezultatin 0-3. Kukësi është dënuar me 70 mijë euro gjobë, si dhe me mungesën e tifozëve në ndeshjet vendase në dy turne.

Ndeshja mes Kukësit dhe Legias së Varshavës u ndërpre në minutën e 52’, kur rezultati ishte 2-1 për “miqtë”, për shkak të një incidenti. Një lojtar i Legias së Varshavës u godit me sende të forta nga tifozët vendas dhe për pasojë mbeti i lënduar në pjesën e kokës. Mjekët e skuadrës polake hynë për t’i dhënë ndihmën e parë dhe lojtari u përgatit të futej në lojë, duke ndërruar dhe fanellën, sipas rregullores. Por, skuadra polake kërkoi ndërprerjen e lojës, pasi sipas tyre siguria mungonte. Pas më shumë se 20 minutash debate në dhomat e zhveshjes, gjyqtari i takimit ndërpreu përfundimisht ndeshjen dhe fjala i kaloi Komisionit të Disiplinës pranë UEFA-s.

Tashmë ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave do të jetë vetëm një formalitet, pasi humbja 3-0 në “Qemal Stafa” është një shuplakë e madhe për skuadrën kuksiane dhe duket se kthimit i rezultatit në Varshavë do të jetë i pamundur.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet