Sot Shqipëri – Lituani/ Kuqezinjtë, për 3 pikët e radhës

Kombëtarja shqiptare do të zbresë sërish në fushën e lojës teksa sot në mbrëmje do të presë Lituaninë në Air Albania Stadium në sfidën e dytë të Nations League.

Kuqezinjtë e Edy Rejas vijnë në këtë përballje pas fitores bindëse me Bjellorusinë në Minsk 3 ditë më parë dhe nga skuadrës balltike që e humbi sfidën e parë ndaj Kazakistanit do të kërkojë që të marrë 3 pikë të tjera për të mbajtur vendin e parë në Grupin 4 të Ligës C.

Për këtë ndeshje vetë trajneri Reja theksoi se mund të bëjë disa ndryshime sidomos në repartin e mesfushës dhe të sulmit dhe shtoi se do t’i duhet të mendohet mirë përsa i përket formacionit që do të hedhë në fushën e lojës. Kombëtarja shqiptare sigurisht do të hyjë me shumë pretendime në fushën e lojës, por skuadra e Lituanisë nuk duhet nënvlerësuar. Kjo e mbrëmjes së sotme do të jetë përballja e pestë e skuadrës sonë përfaqësuese dhe asaj lituaneze, në 4 ndeshjet e para bilanci flet për ekuilibër pasi si Shqipëria ashtu dhe Lituania kanë nga 2 fitore secila.

Herën e fundit që Kombëtarja jonë është përballur me Lituaninë ka qenë në vitin 2013 kur ajo fitoi 4-1. Sfida mes Shqipërisë dhe Lituanisë do të gjykohet nga një ekip arbitrar ukrainas me gjyqtar kryesor Serhiy Boiko, i cili do të ndihmohet nga anësorët Volodin dhe Skrypka, ndërsa arbitër i katërt është Aranovsky.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet