Stadiumet e mbushura plot me tifozë përbëjnë rrezik të madh infeksioni

Në shumë vende të botës tifozët mezi po presin të rikthehen në stadiume për të parë ndeshjet. Për finalen e Kupës Gjermane Federata Gjermane e Futbollit (DFB) aplikoi pranë Senatit të Berlinit për të lejuar 5000 tifozë për klub që të ndjekin finalen mes Bayern Munich dhe Bayer Leverkusen në Stadiumin Olimpik më 4 korrik. Kërkesa u refuzua sepse evente të mëdha me më shumë se 1000 vetë aktualisht në Berlin janë të ndaluara.

UEFA shpreson ende

Presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit UEFA u shpreh së fundi se "gjërat po ndryshojnë shumë shpejt për momentin ndërkohë që një muaj më parë as nuk mund ta besoja se kur mund të luanim sërish", tha Aleksander Ceferin kur u shpall kalendari për Champions League dhe Europa League . Raundet e fundit të dy kampionateve do të zhvillohen në Lisbonë dhe Nordrhein-Westphalen (NRW).

Nga ana tjetër kryeministri i landit NRW, Armin Laschet, e përjashtoi mundësinë që tifozët të lejohen të shkojnë në stadium. Edhe kryetari ekzekutiv i FC Bayern, Karl-Heinz Rummenigge, u kërkoi në një intervistë në ZDF tifozëve që "të jenë pak të duruar" për këtë çështje.

Por veto UEFA do që në korrik të rivlerësojë dhe të vendosë nëse tifozët mund të rikthehen përsëri në stadium për të ndjekur raundet e ardhshme finale. Sidoqoftë vendimtare në këtë mes do të jenë legjislacionet e vendeve pritëse Portugalisë dhe Gjermanisë.

Virologu paralajmëron

Prof. Jonas Schmidt-Chanasit e kupton në thelb dëshirën e tifozëve dhe kërkesën që nisur prej rënies së numrit të rasteve të infektimeve, tani dikush dëshiron të guxojë më shumë. Por ai paralajmëroi në një intervistë për DW se "akoma jemi në mes të një pandemie dhe po vazhdojmë të përballemi me një virus për të cilin nuk ka vaksinë ose ilaçe shumë të efektshme.” Për këtë Schmidt-Chanasit theksoi se është e rëndësishme që të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm."

Rrezik nga grupet e mëdha

Sipas virologut Schmidt-Chanasit çdo grumbullim grupesh të mëdha njerëzish shoqërohet me një rrezik të rritur për infeksion, përfshirë edhe aktivitetet sportive siç janë lojërat e futbollit. Rreziku është shumë real: "Ne e dimë se koronavirusi përhapet përmes spërklave. Kur këndojmë, brohorisim, bërtasim, ne lëshojmë shumë spërkla. Njerëzit e tjerë mund t'i thithin ato dhe të infektohen." – thotë Schmidt-Chanasit. Kjo është saktësisht ajo që ndodhi, për shembull, pas një prove kori në SHBA ose gjat një shërbimi fetar në Gjermani. Dhe në stadiumet e futbollit tifozët janë zakonisht shumë më afër se sa në kishë.

Jo mijëra por vetëm disa qindra tifozë

Virologu Schmidt-Chanasit thotë: "Unë mendoj se lojërat e futbollit në prani të tifozëve janë të mundshme." Por kjo sipas tij mund të lejohet vetëm me kufizime, pra "në stadium nuk duhet të lejohen me mijëra, por vetëm disa qindra tifozë.” Stadiumet e futbollit kanë mesatarish rreth 45,000 vende. Por një turmë e tillë "e përqendruar e rrit në mënyrë të konsiderueshme rrezikun e infeksionit në kohë pandemie" – thotë virologu.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet