Afër Tibetit: çuditë e qytetit me mbi 36 minoritete - nga Edison MYRTEZAI, Kinë

Nga Pekini në Kunming, kryeqytetin e provincës Yunnan, “qyteti i pranverës së përjetshme”, për shkak të klimës së ngrohtë vjetore duhen rreth 3 orë e ca me aeroplan. Ndryshimi ndjehet menjëherë. Ajër i pastër dhe qielli gjithë kohës është blu, të bën të harrosh kryeqytetin kinez të mbipopulluar me njerëz dhe smogun që është bërë pjesë e frymëmarrjes së gjithesecilit. E ndërsa në Pekin sheh njerëz ngado dhe ndërtesa shumëkatëshe, në Kunming duket se sheh qiell blu dhe kulturë tepër të lashtë kineze.

Rreth 500 metra larg liqenit të njohur Dianchi (foto), ndodhet fshati i minoriteteve. Vetëm në Yunnan janë jo pak, por 36 minoritete nga 56 të tilla që ndodhen në Kinë. Shtëpitë e ndërtuara pothuajse të gjitha prej druri dhe të lëna ashtu siç kanë jetuar banorët e zonës, të rikthejnë në kohë kush e di sa e sa qindra vjet më parë. Edhe veshjet janë krejt të ndryshme. Një kostum tradicional i njërit minoritet, nuk ngjan aspak me të një minoriteti tjetër, edhe pse kanë jetuar brenda një zone.

12 kilometra larg qytetit, një ndër bukuritë më të mëdha natyrore të botës, “pylli i shkëmbinjve”, të lë pa frymë për nga madhështia. Shkëmbinj karstikë të vendosur aq përsosmërisht si me dorë nga natyra duken si të prerë më thikë. E ndërsa hyn edhe më thellë në këtë pyll magjepsës shkëmbinjsh, bukuria e tij shtohet edhe më tepër. Nuk ka vend absolutisht për lodhjen, e cila zhduket teksa shijon ajrin e pastër dhe bukurinë magjepëse të këtyre shkëmbinjve të cilat sipas banorëve të zonës “nëse futesh brenda tyre jeton 30 vjet më shumë”.

Ndalesa e radhës në qytetin Lijiang, i le të gjithë me gojë hapur nga historitë e ndryshme. Vetëm në këtë qytezë turistike, takohen dhe jetojnë bashkë plot 16 minoritete, të cilat kanë gjuhë totalisht të ndryshme nga njëra-tjetra edhe pse jetojnë brenda një qyteti prej qindra vjetësh. Minoriteti “Bai”, mbizotëronte zonën për nga numri më i madh i pjestarëve. Ndryshe nga pjesët e tjera të kinës ku femrat dhe gratë duan që të kenë një bashkëshort me fizik të hollë ose të mirë, këtu ndodh e kundërta. Nëse burri apo mashkulli nuk është i shëndoshë dhe disi mbi peshë, është thuajse e papranueshme për një femër që të lidhin jetën të dy. Për to, një mashkull i shëndetshëm dhe i shëndoshë është simbol i pasurisë dhe jetesës me cilësi të mirë.

Rrugëtimi drejt veriperëndimit të provincës Yunnan, është totalisht i ndryshëm nga ajo përjeton në pjesë të tjera të tij. Ndjesia e ajrit që vjen dhe freskohet shumë, shpatet dhe rruga kryesore e cila gjarpëron brenda maleve si dhe tempuj budistë në thuajse cdo kilometër rrugë, të lenë të kuptosh se besimi budist këtu është thelbi kryesor i ekzistencës. Nuk ka restorant apo edhe qendër pushimi pa një tempull të vogël budist. Këta të fundit të zgjeruar nga pjesa e poshtme duke u ngritur si shigjetë në pjesën e sipërme drejt qiellit, janë të rrethuar nga një rrjetë flamujsh në formë trekëndëshi me ngjyra nga më të ndryshmet.

Që në hyrje të qytetit Shangëri-la, dukeshin tempujt dhe shtëpitë e stilit budist dhe tibetian. Disa banorë të zonës tregojnë se “në këtë qytet besimi budist është kryesori. Thuajse 98 për qind e banorëve janë budistë”. Madje sipas tyre, pothuajse cdo famijlje ka një person “djalë ose vajzë”, që shërben si monk budist në disa prej manastireve si brenda ashtu edhe jashtë qytetit. Ndërtesat me cati ishin shumë të rralla. Kudo shtëpitë, shkollat edhe hotelet ishin me tarracë ndërsa në pjesën e bordurës së tarracës dhe në mes të ndërtesës, ndodhet një shirit i kuq osë ngjyrë vishjnë. Në të janë të pikturuara trekëndësha, rombe ose rrathë të shumtë të cilët i sheh në thuajse çdo ndërtesë. Edhe shkronjat tibetiane ndodheshin në çdo tabelë restoranti, qendre biznesi, supërmarketi dhe kudo.

Në pamundësi për të shkuar në Tibet, kufiri i të cilit ndodhet vetëm 3 orë larg me makinë, gjithçka e ke të gatshme në Shangëri-la. Brenda njërit prej tempujve më të njohur, ofrohej darkë e madhe për turistët dhe adhuruesit e kulturës tibetiane. Ushqimi shërbehej sipas ritit budist dhe ofrohej po ai ushqim të cilin budistët e konsumojnë cdo ditë nëpër tempuj dhe manastrië. Një dem i pjekur i stërmadh u servirej të gjithëve nga kameriërë të veshur me kostumin tradicional tibetian. Për të mos u harruar është “djathi i bërë me qumësht dhie i cili duhet patjetër sipas kulturës tibetiane të konsumohet i ngjyer në sheqer të ëmbël dhe i shoqëruar nga një çaj tejet i kripur”.

Kërcimet dhe muzika tradicionale tibetiane nuk kanë sosur për orë të tëra për t’u përmbyllur me kërcime dhe muzikë rreth një zjarri të madh. Sipas ritit tibetian, të gjitha të këqijat digjen nga flakët e zjarrit nëse kërcen përreth tij. Ndërsa me qindra njerëz u turrën rreth një kambane të stërmadhe të lyer me ar për ta prekur atë nga e majta në të djathtë për të marrë “sipas tyre”, bekimin e budës për shëndet dhe lumturi. Të prekësh tibetin pa qenë aspak atje.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. Bledi   e Hënë 7 Gusht, 2017

    Wow. Fantastike. Jam kenaqur jashte mase duke e lexuar. Lum si ti Edison qe e ke shijuar.