Disa ditë në vendlindjen e pandave - nga Edison MYRTEZA

Udhëtim në Sichuan. Toka e pandave, bollëkut dhe e bukurive natyrore

Aeroplani nga Pekini drejt Chengdu-së u nis me gati 12 orë vonesë për shkak të shiut të madh që binte mbi kryeqytetin e provincës Sichuan. Më në fund ndodhesha në Chendu, kryeqytetin më pikant dhe më djegës të Kinës, atje ku pandat lindin dhe rriten pa asnjë rrezik dhe ku era e specit djegës dhe ushqimeve tepër pikante ndihet disa metra larg restoranteve. Ndjesia e një dite të nxehtë dhe të lagësht më zihej në grykë teksa mezi merrja frymë nga zagushia pasi dola jashtë aeroportit. Pas një dite kaq të gjatë dhe të lodhshme, nuk kërkoja asgjë më tepër se një pushim total.

Buda Gjigande Lëshan

Pasi hëngra shpejt e shpejt diçka për mëngjes, zura vend në autobusin i cili ishte gati për të më çuar mua dhe turistë të tjerë në malin e famshëm Ëmei. Radha e gjatë e vizitorëve për të parë Budën më të madhe në botë dukej sikur ma shtonte padurimin për të parë budën e jashtëzakonshme dhe aq të famshme. “Buda Gjigande Lëshan”, ulej madhështore në shpatin e malit Ëmei. Statuja gjigande 71 metra e lartë, tashmë në listën e trashëgimisë botërore, ishte vështirë për t’u parë e gjitha njëherësh, prandaj vizitorët duhet të kalojnë një e nga një shkallët për të zbritur deri tek këmbët e saj. Punonjësit e zonës, na kërkuan në mënyrë strikte që ta respektonim budën dhe gjatë kohës që e fotografonim i gjithë profili dhe koka të ndodhej brenda objektivit të fotos dhe në mënyrë kategorike jo e gjysmuar ose në disa pjesë. Në njërin nga muzeumet e zonës pasqyrohej një për një historia e Budës Lëshan, që nga ideja, nisja e punës nga murgjit budistë të zonës dhe deri në përfundimin e saj. Vetëm disa metra sipër kokës gjigande të budës, ndodhej brenda shkëmbit një guvë e cila ka shërbyer si vend pushimi dhe fjetjeje për murgjit budistë të devotshëm. Ajri i freskët ndihej që tek hyrja e guvës dhe teksa prekja muret e lagështa, po mendoja se “si këta murgj kanë mundur të jetojnë në kushte kaq të vështira”.

Mali Lëmei dhe jetesa me majmunin e artë

Autobusi pas largimit nga ngjitja në malin Wmei dhe vizitën në budën gjigande ishte gati për nisje. Destinacioni tjeter, “Mali Lëshan”. Drejtuesi i guidës turistike na shpjegonte me hollësi gjithçka ndodhej në këtë mal “të shenjtë” për besimin budist. Rreth 20 tempuj budistë ndodheshin në të gjithë malin që nga dera kryesore deri në lartësinë 3800 metra. Gjithçka ishte krijuar në përpikmëri dhe përsosmëri me natyrën e cila na freskonte herë pas here me ndonjë vesë shi. Kaloja nga njëri tempull tek tjetri dhe të gjithë ishin të ndryshëm nga njëri-tjetri edhe pse budat gjigande na shihnin me admirim, tek dera kryesore e ndërtesave. M’u kërkua që të kryej edhe unë ritin budist duke u falur para budës, pavarësisht nëse unë e besoja ose jo.

Në krahun e djathtë të malit, na duhej të ngjiteshim disa qindra metra më sipër për të shijuar një tjetër mrekulli. Rezervati i rritjes dhe ruajtjes së majmunëve ngjyrë ari. Drejtuesi i grupit tonë më tregoi se majmunët këtu janë të egër por ata shohin njerëz në çdo kohë prandaj nuk është ndonjë gjë e veçanët për ta, thjesht duhet t’u japësh diçka për të ngrënë. Në xhep futa një qese me kikirikë të cilat i bëra gati nëse ndonjë majmun do të më afrohej pranë. Pas gati 20 minutash ngjitjeje në mal, disa majmunë ngadalë nëpërmjet pemëve filluan të më afrohen mua dhe shumë turistëve të tjerë. Njëri prej tyre, më qëndroi në shpatull dhe nuk po lëvizte nga vendi. Ngadalë nga xhepi nxorra disa kikirikë të cilat m’i rrëmbeu me një shpejtësi rrufe dhe zbriti poshtë duke nisur t’i hajë gjithë shije. Ishte një emocion i papërshkrueshëm, deri në rënien e shiut, nga ku më pas majmunët nisën të largohen brenda pyllit tepër të dendur me pemë dhe bambu.

Parajsa “Huanglong”

Më duhej të lija përsëri Chengdu-në për t’u nisur drejt veriut të provincës Sichuan, atje ku ndodheshin dy prej “parajsave të zonës”. Sërisht një tjetër fluturim për vetëm 55 minuta. Disa prej miqve të njohur gjatë udhëtimit, më thanë se atje lartësia është tepër e madhe dhe bën shumë freskët. Sapo mbërritëm në aeroportin “Dragua”, ajri i freskët u ndje menjëherë. Nga 36 gradë që lashë në Chengdu, plot 8 gradë celcius në terminalin e aeroportit i cili ndodhej në 3600 metra mbi nivelin e detit në majën e një mali. U ula në autobusin që na priste të gjithë udhëtarëve dhe teksa vazhdonte rrugën për në destinacion, shihja rrugën e gjatë përmes malesh me kthesa të forta. Qielli kishte marrë një blu të theksuar dhe ajri i pastër më mbushte mushkëritë.

Stili tibetian i jetesë në rajon ndihej menjëherë, madje shumë më i theksuar se në Wmei dhe Lëshan. Tempuj të bardhë budistë ngriheshin me majën lart drejt qiellit dhe flamuj të shumëngjyrshëm i rrethonin nga të katër anët. Destinacioni i radhës “Huanglong” ose “Dragoi i verdhe”. Drejtuesi i grupit, një djalosh i ri i minoritetit tibetian, na kujtoi se këtu lartësia është tepër e madhe dhe duhet të kemi kujdes me shëndetin. Nëse dikush vuan nga sëmundje të ndryshme duhet të bëjë kujdes sepse lartësitë mbi 3500 metra nuk janë të favorshme. Pas gati dy orë udhëtimi me autobuz, arritëm pranë portës qëndrore nga ku do të ngjiteshim për të parë një parajsë të vërtetë. Këtu për mua do të niste një aventurë e re. Do të ngjitesha deri në lartësinë 4300 metra, e paprovuar më parë prej meje. I dhashë kurajo vetes dhe vendosa me çdo kusht të shkoja deri në fund, pavarësisht gjithçkaje që mund të ndodhte.

Pushoja herë pas here për të rimarrë forcat, pasi dielli për shkak të lartësisë të madhe rrezatonte pamëshirshëm mbi fytyrën time e cila nisi të skuqej. Mali Aba i mbuluar nga gjysma e sipër me dëborë më printe rrugën deri në afërsi të rrëzës së tij. Një pamje mahnitëse shfaqej para meje. Mali Aba me dëborë, ujëvara shumëngjyrëshe karstike Dragoi i Verdhë, gjelbërimi pa masë i maleve përreth, gjithçka në lartësinë 4300 metra. “Parajsa mbi tokë”, fola me zë të lartë në shqip dhe gjithë ajo lodhje u zhduk sa hap e mbyll sytë si me magji. Aparati fotografik nuk ndalonte se regjistruari në memorien e tij këtë pamje të cilës nuk i ngopesha dot. Ujëvara ndryshonte ngjyrën në cdo milimetër të saj nga e verdhë në jeshile të hapur dhe më pas të errët për t’u shndërruar në blu të hapur dhe pastaj të errët dhe më pas sërisht një ujëvarë tjetër poshtë saj ndryshonte ngjyrat. Uji kristal dhe i ftohtë rridhte direkt nga mali i shenjtë budist Aba i mbuluar me borë. Mbylla sytë për disa sekonda dhe thashë me vete “Faleminderit Zot për këtë mrekulli dhe mundësi që më dhe”. E shijova pafund këtë bukuri dhe nisa ngadalë të zbrisja poshtë, ndërsa po ndieja se më kishte nisur dhimbja e kokës nga dielli i fortë dhe lartësia tepër e madhe.

“Përralla Jiuzhaigou”

Katër ditë duke ngjitur dhe zbritur male deri në 4500 metër dhe pulpat e këmbëve po më dhembnin jashtë mase. Pavarësisht kësaj, e kisha vendosur përfundimisht se nuk kisha për t’u larguar prej këtej pa parë gjithçka të mrekullueshme. Pas rreth dy orësh me autobuz nga hoteli ku ishim akomoduar, tek dera kryesore e hyrjes për në parkun e mrekullueshëm Jiuzhaigou, radhë dhe njerëz pafund. Ndalova me disa nga miqtë e njohur gjatë udhëtimit në stacionin e fundit dhe pikën më të lartë. Plot 1200 metra mbi nivelin e detit ku para nesh shfaqej në mënyrë perfekte “Liqeni i Pandave”. Uji i liqenit ishte jashtë mase i pastër, saqë gjithçka dukej brenda tij deri në thellësinë maksimale. Në çdo lëvizje që bëja me vetëm disa hapa, uji ndryshonte ngjyrën por blu-ja e thellë në të gjelbër të thellë ishte e papërshkrueshme. Gjithçka në harmoni perfekte me natyrën, pemët, ujin, malet dhe rrugët turistike. Ajri i pastër, ujërat kristal dhe ylber, ujëvarat e jashtëzakonshme, më jepnin ndjesinë e përrallave me të cilat jemi rritur kur ishim të vegjël. Liqenet ishin të rrjedhshëm dhe sa më poshtë parkut zbrisja aq më e mahnitshme bëhej pamja nga uji i cili ndryshonte ngjyrë në çdo moment. Po vdisja nga dëshira për ta shijuar këtë mrekulli me varkë dhe vozitje nën rrezet e diellit, por në mënyrë kategorike nuk lejohej asnjë lundrim me varkë për të mos ndotur ujin dhe prishur habitatin përrallor.

E kështu me radhë nga njëra anë në tjetrën kam shijuar një nga parqet më të lartë dhe më të bukur në botë. Turistë të ndryshëm me tregonin se stina e vjeshtës është përrallore pasi gjethet e pemëve në të verdhe, të kuqe dhe portokalle, mishërohen perfekt nën blunë magjepsëse të ujëvarave dhe liqeneve, prandaj vjeshta është edhe koha më e bukur për ta parë, por që fatkeqsisht unë nuk mundem prandaj e shijova në maksimum tani në verë. Pasi u largova nga ky vend magjepsës, në mbrëmje muzika tradicionale dhe performancat tibetiane e bënë këtë udhëtim të paharuar.

Author

Shkruaj një koment

4 Komentet

  1. Edison  e Mërkurë 23 Gusht, 2017

    Pershendetje Mentor! Me vjen mire qe e ke lexuar dhe te ka pelqyr reportazhi. Eshte shume e vertete se panorama atje dhe gjithcka ishte si nje parajse e vertete. Pikerisht, 6 dite pas mberritjes sime ne Pekin, ndodhi edhe termeti i fuqishem prej 7 ballesh. Sipas nje mikut tim qe jeton ne zonen Jiuzhaigou, tashme gjithcka nuk eshte ashtu si me pare dhe shume prej liqeneve dhe zonave turistike aq te mrekullueshme jane shkaterruar. Do te duhet shume kohe deri sa te rrikthehen ne bukurine e meparshme. Gjithesesi atje ishte nje parajse e vertete. Me vjen mire qe interesohesh. Na ndiq.

  2. Mentor Bega   e Diel 20 Gusht, 2017

    Pershendetje Edison. Reportazhi qenka shkruar aq bukur dhe me imtesi. Te lumte. Por dua te te pyes, u dha shume ne media se para disa ditesh atje ndodhi nje termet shume i fuqishem. Eshte e vertete dhe si eshte gjendja aktuale?

  3. Bledi   e Shtunë 12 Gusht, 2017

    Shume bukur vendi dhe reportazhi. Pershkrimi eshte aq i sakte saqe me duket sikur i kam pare vete keto mrekulli. Te lumte Edison.

  4. Nikolini  e Hënë 7 Gusht, 2017

    Reportazh fantastik dhe gjera fantastike. Ua cfare kenaqesie